Lumi i Kirit dhe kanionet e Prekalit në Shkodër janë kthyer ndër destinacionet më të vizituara nga turistët vendas e të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga kanionet e Prekalit dhe Urës së Shtrenjtë, me ftesën për ta vizituar.

“Një copëz magjie në zemër të Shkodrës turistike. Prekal dhe Ura e Shtrenjtë”, shkruan Rama.

Ujë i kristaltë, vaskat, kanioni, pastërtia, qetësia dhe ajri i freskët i maleve përreth është ajo që të ofron Lugina e Kirit.

Çdo fundjavë kur moti është i ngrohtë, qytetarët shkodranë, turistë të huaj dhe banorë të fshatrave rreth rrjedhës së lumit, frekuentojnë këto brigje për banjo dielli, larje në ujërat e freskët, por dhe për sportet ujore.

Ura e Shtrenjtë mbi lumin Kir lidh Shkodrën me Prekalin. Kanionet gëlqerore të formuara nga veprimtaria erozive e lumit të Kirit ofrojnë një pamje magjepsëse për çdo vizitor që zgjedh të vizitojë zonën.