ATSH/ – Reperi i njohur Kanye West do të mbajë atë që organizatorët e quajnë koncertin e tij të parë në Europë pas më shumë se një dekade, pas një faljeje publike për komentet e tij rreth nazistëve, sipas AP.

48-vjeçari do të performojë më 6 qershor në stadiumin ”Gelredome” të klubit futbollistik ”Vitesse Arnhem” në qytetin holandez, dhe më 18 korrik do të mbajë një koncert në Reggio Emilia, në Itali.

West ka publikuar një reklamë në gazetën amerikane ”The Wall Street Journal” për të kërkuar falje për disa deklarata rreth nazistëve, Adolf Hitlerit dhe hebrenjve duke theksuar se dëshironte faljen e publikut.

Ai gjithashtu kërkoi falje nga komuniteti i personave me ngjyrë duke thënë se i kishte zhgënjyer dhe shtoi se një aksident automobilistik, 25 vjet më parë, e çoi në diagnozë bipolare.

Në maj të vitit të kaluar, West publikoi një këngën e titulluar “Heil Hitler” dhe u kritikua për postime me natyrë antisemitike në Twitter dhe për përshkrimin e skllavërisë si “një zgjedhje.”

”Adidas” ndërpreu bashkëpunimin me reperin në 2022 dhe dhuroi më shumë se 150 milionë dollarë për organizata kundër urrejtjes.

West njihet më së shumti për këngë si ”Black Skinhead”, ”Gold Digger” dhe ”Stronger”./ /Ad.Ab./ a.jor.