TIRANË, 1 gusht/ATSH/- Këngëtarja e famshme greke dhe shumë e dashur edhe për publikun shqiptar, Glykeria vjen për të zhvilluar tre koncerte të mrekullueshme në Shqipëri.
Lajmin e ka bërë të ditur Ambasada greke në Tiranë, e cila njofton se koncertet do të mbahen në Pogradec, Vlorë dhe në Dervician të Dropullit.
Publiku i këtyre qyteteve do të ketë mundësinë të shijojë performancën unike të këngëtares greke me famë botërore.
Java e parë e gushtit do të jetë e mbushur me meloditë që do të interpretojë Glykeria, e shoqëruar nga banda e saj, duke ofruar kështu një eksperiencë muzikore profesionale të nivelit ndërkombëtar.
Koncertet e Glykerias janë gjithmonë një eksperiencë unike, një udhëtim nëpër muzikën greke, një mundësi për festë, thuhet në njoftimin e Ambasadës greke e cila i fton të gjithë artdashësit ta shijojnë këtë eksperiencë unike.
Koncertet do të zhvillohen ditën e martë, 2 gusht, në Pogradec, të mërkurën në Vlorë dhe i fundit, të enjten, në Dervician.
Koncertet mbështeten nga bashkitë e Pogradecit, Vlorës e Dropullit si dhe nga Ambasada greke në Tiranë.



























