Shqiponja e skenës shqiptare, Rexhep Çeliku kujtohet përmes një koncerti homazh nga Ansambli Popullor në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit.
“Do të vijnë të interpretuara nga bashkëkohës të tij, nga solistë që kanë qenë nxënës të rinj, por edhe të rinj që nuk kanë njohur figurën e tij. Rexhep Çeliku do të vijë i mishëruar në tre breza”, u shpreh drejtuesi i Ansamblit Popullor, Sokol Marsi.
Figura emblematike e vallëzimit shqiptar, rimishërohet te valltarët e rinj, që frymëzohen nga kërcimtari fluturues, sikurse titullohet shfaqja dedikuar tij.
“Është një shfaqje që e kemi pritur prej kohësh. Nuk është bërë asnjëherë që kur Profesori u nda nga jeta. Jemi të lumtur që si të rinjtë e Ansamblit, ecim në gjurmët e ikonës së kërcimit”, tregoi valltari Flavio Xhaferi.
Disa surpriza vijnë për publikun në koncertin e 19 shkurtit, të titulluar “Kërcimtari Fluturues”, përfshirë performanca nga artistët që kanë punuar me Çelikun dhe e kujtojnë sot me nostalgji.
“Kishim një jetë të tërë bashkë, vite të tëra në skenë. Për Rexhepin kam kujtimet më të bukura. Do të vij me këngën gjirokastrite që Rexhep Çeliku e donte shumë. E kam krijuar këtë këngë posaçërisht për të”, rrëfeu këngëtarja Irini Qirjako.
Duke ndjekur gjurmët e të atit, me mjeshtëri të rrallë, Rexhep Çeliku interpretoi si solist i parë në mbi 200 valle në Ansamblin Popullor përgjatë 47 viteve karrierë. Deri në fund të jetës, dhuroi emocione për artdashësit, ndërsa u nderua me çmimin “Nderi i Kombit”.
Top Channel