/ATSH/Krahas operacionit humanitar, anëtarët e këshillit bashkiak në Elbasan kanë ndërmarrë nismën për të ndihmuar nga të ardhurat e tyre familjet në nevojë.
Lajmi është bërë i ditur nga prefekti i qarkut të Elbasanit, Maksim Malaj i cili u shpreh për ATSH-në se vetëm ditën e sotme nga të ardhurat e tyre janë ndihmuar 50 familje.
“Anëtarët e këshillit bashkiak në Elbasan kanë ndërmarrë një nismë në ndihmë të familjeve në nevojë. Ata kanë vendosur që të vënë një sasi parash nga ana e tyre për të mbështetur familjet në nevojë dhe deri tani janë bërë gati 51 pako ushqimore për të ndihmuar 50 familje”, tha Malaj.
Sipas prefektit, operacioni humanitar për familjet në nevojë do të vijojë paralelisht për çdo familje në nevojë në qarkun e Elbasanit. “Jemi të angazhuar që asnjë familje në nevojë, pensionist apo i moshuar i vetmuar të mos mbesë pa ndihmë veçanërisht në këto ditë të vështira për vendin”, u shpreh Malaj.