/ATSH/ Kryeministri Edi Rama publikoi sot pyetjen e 10-të të Këshillimit Kombëtar.

Pyetja e 10-të ka të bëjë me pezullimin nga sistemi i drejtësisë të gjyqtarëve dhe prokurorëve, vendimmarrjet e të cilëve janë haptazi në kundërshtim me ligjin.

“Ka njerëz që thonë se gjyqtarët dhe prokurorët, që nuk kanë kaluar ende Vetingun, duhet të pezullohen automatikisht nga sistemi i drejtësisë nëse vendimmarrjet e tyre janë haptazi në kundërshtim me ligjin. Të tjerë thonë se pezullimi dhe përjashtimi nga sistemi duhet të kryhet sipas procedurave në fuqi. Si mendoni ju?”, thuhet në pyetjen drejtuar qytetarëve.

Pyetja ka edhe një pjesë shpjeguese ku theksohet se, “pavarësisht se vitet e fundit janë bërë ndryshime legjislative për të luftuar fenomenin e njohur si KÇK, një pjesë e gjyqtarëve dhe prokurorëve në pritje të Vetingut vazhdojnë të abuzojnë me pushtetin e drejtësisë. Aktualisht, nuk është i mundur pezullimi automatik i tyre nga institucionet kompetente të drejtësisë në rastet kur konstatohen vendimeve haptazi të paligjshme, sepse për të realizuar pezullimin institucionet duhet të kryejnë hetime të thelluara që kërkojnë një kohë të gjatë”.

Qytetarët kanë tre mundësi për të kthyer përgjigje për këtë pyetje.

“Gjyqtarët dhe prokurorët që abuzojnë me detyrën e tyre duhet të pezullohen automatikisht nëse vendimmarrjet e tyre janë haptazi në kundërshtim me ligjin.

Gjyqtarët dhe prokurorët që abuzojnë me detyrën e tyre nuk duhet të pezullohen pa një hetim të thelluar sado kohë që ky hetim të kërkojë.

Nuk di të gjykoj mbi këtë çështje”, janë mundësitë e përgjigjes për qytetarët.

Kryeministri Rama u shpreh se, “me falenderimin e madh për 30.048 bashkëqytetarët e bashkëqytetaret, kudo ndodhen, që janë përfshirë deri tani në Këshillimin Kombëtar, duke e plotësuar pyetësorin online, ju ftoj të gjithëve të bëheni pjesë e këtij kuvendimi popullor për çështje me rëndësi strategjike për Shtëpinë tonë Shqipërinë Jepni opinionet tuaja duke klikuar këtu https://keshillimikombetar.al/”.