/ATSH/ Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, deklaroi sot se “nuk ka dyshim që plotësimi i vendeve bosh, të shkaktuara nga sistemi i vetingut ka qenë alarmuese. Por, KLD ka mundësinë për të rikthyer procesin në shtegun e duhur duke vendosur gjyqtarë që kanë plotësuar kriteret e vetingut”.
E pranishme në një konference të organizuar nga Komiteti shqiptar i Helsinkit për monitorimin e punës së Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) dhe gjyqësorit (KLGJ) përgjatë një viti, ambasadorja Kim tha se “kjo nismë e fundit e Komitetit Shqiptar të Helsinkit është një shembull i shkëlqyer i asaj që shoqëria civile mund të ofrojë për të bërë të mundur vazhdimin e Reformës në Drejtësi. Në muajt e kaluar Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka monitoruar performancën e Këshillit të lartë të Drejtësisë dhe atij të prokurorisë me qëllim për të përmirësuar eficencën, llogaridhënien dhe integritetin e tyre”.
“Duhet të jemi të sinqertë e të guximshëm për të bërë më të mirën. Duhet të gjejmë mënyrën se si të ecim përpara. Ne do të njihemi me hollësitë e gjetjeve të Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Institucionet e reformës në drejtësi tashmë janë ngritur. Është e rëndësishme për ne të kuptojmë punën e KLGJ dhe KLP, si kanë ecur deri tani. SPAK ka prokurorët. Klasa e parë e hetuesve të BKH do të përfundojë trajnimin së shpejti. Ka shumë gjyqtarë e prokurorë që janë larguar nga detyra dhe kjo është një gjë e mirë. Nëse jemi serioz për kapjen e momentit në të cilin është Shqipëria, për të pasur një Shqipëri më të mirë dhe më të denjë si anëtare e BE, më të sigurt dhe po aq të begatë sa çdo anëtar tjetër i BE, reforma në drejtësi duhet të vazhdojë”, – tha Kim.
Ambasadorja amerikane Kim tha se “le të ndalojmë së shtiruri dhe të çojmë reformën përpara. E kuptoj që puna e gjyqtarëve nuk është e lehtë, por është e rëndësishme. Nuk mund t’ia lejojmë vetes të mos kemi sukses në këtë reformë. Së pari, KLD duhet të plotësojë detyrën për të pasur një SPAK me gjyqtarë që kanë kaluar Vetingun. Nuk ka dyshim që plotësimi i vendeve bosh, të shkaktuara nga Vettingu ka qenë alarmuese. Por, KLD ka mundësinë për të rikthyer procesin ne shtegun e duhur. Këshilli duhet të veprojë tani për të bërë një vlerësim të sistemit, duke bërë hartësimin gjyqësor dhe duke iu kërkuar llogari magjistratëve”.
/vijon/k.s/



























