ATSH/ Studio “Kimmel Eshkolot Architects” nga Tel Aviv, Izrael, u shpall fituese e projektit arkitektonik të Muzeut Hebraik në Vlorë.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila theksoi se “kjo studio kishte rrokur më së miri filozofinë se çfarë përfaqëson ky muze; mënyrën e ndërthurjes së rrëfimit me arkitekturën karakteristike të banesës; veshjen e funksionit të ri; harmoninë e brendshme dhe të jashtme të objektit, ku do të vendoset muzeu, me Qendrën Historike të qytetit të Vlorës”.
Studioja nga Tel Avivi u shpall fituese nga juria e përbërë nga personalitete të arkitekturës dhe muzeologjisë, pas shqyrtimit të propozimeve të ardhura në konkursin për projektin arkitektonik të Muzeut Hebraik në Vlorë.
Margariti falënderoi jurinë profesioniste për angazhimin dhe orët e gjata që i kushtuan shqyrtimt të projekteve si dhe i shprehu mirënjohjen studiove që pranuan ftesën për të marrë pjesë në këtë garë dhe paraqitën vizionin e tyre.
Por, shtoi ajo, mbi të gjitha falënderime për partnerin tonë, Fondacionin Shqiptaro Amerikan për Zhvillim The_AADF, si dhe gjithë stafit që qëndron pas kësaj nisme.
“Sapo kemi nisur një rrugë të gjatë për realizimin e një muzeu që do t’u flasë brezave të rinj për dimensionin human të shqiptarëve, që e kanë rrëfyer në kohë lufte e paqeje, duke iu gjendur pranë çdo njeriu në rrezik, pavarësisht kombësive dhe kulturave, që u përkasin.
Muzeu Hebraik në Vlorë do të tregojë një histori unike, dedikuar bashkëjetesës së hebrenjve dhe shqiptarëve në kohë, i cili synohet të kthehet në një magnet kulturor për zonën historike në Vlorë. Më ndërtimin e këtij muzeu do të vendoset një standard i ri për muzetë në Shqipëri duke mbështetur krijimin e një muzeu bashkëkohor, të vetmin në llojin e tij në Shqipëri dhe rajon, përsa i përket misionit, konceptit, arkitekturës, menaxhimit, qeverisjes, modelit të ekspozimit dhe tregimit të historisë, partneriteteve dhe angazhimit të komunitetit.



























