ATSH-DPA/ – Kina ka regjistruar numrin më të madh të rasteve me koronavirus këtë vit, ku të hënën u raportuan 162 infeksione të reja.
Autoritetet raportuan 150 infeksione në qytetin e Xi’an, i cili vendosi masën e izolimit për 13 milionë banorët e tij gjatë javës së kaluar pas zbulimit të dhjetëra infeksioneve.
Rregullat në Xi’an nënkuptojnë se njerëzit mund të largohen nga shtëpitë e tyre vetëm në raste të jashtëzakonshme. Çdo familje mund të zgjedhë një anëtar për të bërë pazar në ditë të ndryshme. E gjithë popullata gjithashtu i është nënshtruar testit disa herë.
Kina po përdor masat e ashpra që janë pjesë e politikës së saj zero-Covid dhe deri më tani ka arritur të mbajë nën kontroll virusin gjatë pandemisë.
Për më shumë se një vit, situata e pandemisë në Kinë ka qenë më e kontrolluar se në shumë vende të tjera, ku jeta e përditshme dhe ekonomia kanë arritur të kthehen kryesisht në normalitet.
Por varianti më infektiv Delta ka çuar në rritjen e rasteve që nga vjeshta, dhe varianti i ri Omicron mendohet të jetë edhe më ngjitës.
Autoritetet nuk kanë njoftuar ende ndonjë rast me Omicron në Xi’an.
Lojërat Olimpike Dimërore priten të zhvillohen në Pekin pas pesë javësh. //a.i/

























