Klubi Shumësportësh Elbasani zhvilloi sot një takim me mësuesit e edukimit fizik të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të qytetit, me synim krijimin e ekipeve sportive dhe masivizimin e sportit tek të rinjtë.

Në takim morën pjesë znj. Dorina Rroseni, Drejtoreshë e Përgjithshme e Politikave të Kujdesit Social, Arsimit, Rinisë dhe Sportit, z. Fation Sina nga Zyra Vendore Arsimore Elbasan, si dhe përgjegjësi për zhvillimin e aktiviteteve sportive në qytet, z. Enea Jorgji.

Diskutimet u fokusuan në nxitjen e fëmijëve drejt aktivitetit fizik, identifikimin e talenteve në disiplina të ndryshme sportive, si dhe forcimin e bashkëpunimit midis shkollave dhe institucioneve sportive.

Në bashkëpunim me Bashkinë Elbasan, Klubi Shumësportësh Elbasani do të vijojë punën për të përfshirë sa më shumë të rinj në sport, duke e kthyer Pallatin e Sportit “Elbasani” në qendrën ku do të zhvillohen finalet e disiplinave të ndryshme si basketboll, volejboll, ping pong e të tjera.

EDLIRA XHERRI