Koçiu nënvizoi se “ushqyerja me gji është mënyra më e natyrshme dhe më e sigurt për të ushqyer foshnjat, duke ofruar përfitime të shumta shëndetësore si për nënën, ashtu edhe për fëmijën”.
“Në çdo qendër shëndetësore në vend, profesionistët tanë janë të angazhuar për të informuar dhe ndihmuar nënat e reja, duke ofruar këshillim dhe mbështetje të specializuar për këtë proces jetik”, u shpreh ministrja.
Koçiu ndau apelin e mjekes Evgjeni Kaçi, për ushqyerjen me gji të foshnjave të paktën deri në 6 muajt e parë.
“Përse është e rëndësishme ushqyerja me gji e fëmijëve të vegjël? E mbron fëmijën e vogël nga shumë infeksione, duke filluar që nga rrugët e frymëmarrjes dhe gjithë sistemet e tjera. Deri në 6-mujorin e parë duhet të bëhet sepse edhe trakti tretës i fëmijës deri në atë moshë është i përgatitur më tepër për ushqyerjen me gji sesa për ushqyerjet e tjera”, tha mjekja.
Mjekja theksoi po ashtu se ushqyerja me gji i ndihmon shumë foshnjat në rritjen dhe në pjekjen e sistemit imunitar.
“Është ushqim që nuk kërkon shtesa të tjera. Merret në kushte sterile direkt nga nëna. Janë të gjitha etapat nga lindja deri në muajin e gjashtë që qumështi kalon në disa faza dhe fëmija merr nga kulloshtra, qumështi i përkohshëm dhe qumështi i përhershëm”, theksoi ajo.
Mjekja nënvizoi po ashtu se ky proces ndihmon shumë jo vetëm fëmijët, por edhe nënat.
“Nënat lodhen më pak, sëmuren më pak nëse ushqejnë fëmijët me gji. Kanë përfitim edhe për t’u mbrojtur nga një shtatzani e padëshiruar”, shtoi ajo.
/m.m/r.e/