Kombëtarja shqiptare e U21 do të luajë në 30 mars një ndeshje miqësore me Uzbekistanin, një sfidë që u organizua pas anulimit të atyre me Japoninë dhe SHBA për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme. Trajneri Alban Bushi në një prononcim për fshf.org e vlerësoi skuadrën uzbeke dhe e konsideruar sfidën me të si të rëndësishme.

‘Janë ndeshje të rëndësishme. Bëhen të rëndësishme vetë sepse kemi shumë kohë pa u grumbulluar. Jam shumë i gëzuar që do të grumbullohemi tani, do të jemi bashkë për t’u stërvitur, luajtur, për objektivat dhe qëllimet tona. Ndeshja me Uzbekistanin është një ndeshje e mirë. Ne ishim përgatitur për dy ndeshje të tjera, ndaj Amerikës dhe Japonisë. Por për shkak të problemeve në Lindjen e Mesme, miqësoret u anuluan dhe zgjodhëm si kundërshtar Uzbekistanin. Është një kundërshtar që duhet respektuar dhe vlerësuar sepse ka bërë mirë në Kupën Aziatike. Duhet të përgatitemi, e kemi parë së fundmi. Është një ekip që luan bukur futboll, të lë të luash futboll. Është një ekip interesant. Unë mendoj që do të jemi favoritë në këtë ndeshje. Ekipi është në gjendje të mirë, lojtarët kanë më shumë minuta se më përpara. Kemi marrë edhe disa lojtarë të rinj, të cilët dua t’i falënderoj që zgjodhën Shqipërinë si Gojani, Asani dhe Dibrani. Për herë të parë vijnë edhe Ergis Arifi i Teutës dhe Olsi Myrta i Laçit. Duhet të tregojnë veten e tyre, në kampionatin shqiptar kanë bërë mirë. Por U-21 është një nivel tjetër dhe do t’i shohim nëse do jenë në gjendje për t’i përballuar dhe për të qenë në të ardhmen pjesë e këtij ekipi’-tha Alban Bushi.

Në listën e të grumbulluarve të Alban Bushit figuronin 6 emra të rinj me trajnerin kuqezi që dha shpjegimin e tij për ta, por edhe për gjendjen e skuadrës

‘Kemi marrë dy mesfushorë si Dibranin dhe Asanin, të cilët janë shumë aktivë dhe agresivë. Strategjia jonë është që të luftojmë shumë, të jemi shumë aktivë dhe të kemi shumë agresivitet. Dhe këta janë lojtarë që i plotësojnë këto kushte. Mendoj që do të na bëjnë shumë punë për lojën që bëjmë ne. Kam besim tek ata. Por edhe lojtarët e tjerë që kemi aktualisht, janë lojtarë që kanë bërë mirë muajt e fundit dhe mendoj se do të ketë shumë konkurrencë në grup. Këtë gjë kërkojmë. Të kemi sa më shumë konkurrencë, një ekip solid që të kemi një ekip sa më të fortë në finalet e U-21.Shumica e lojtarëve kanë minuta. Mezi po pres që t’i takoj dhe të flas. Kemi disa lojtarë që ne i kemi titullarë, por nuk kanë shumë minuta në këmbë. Kjo gjë nuk është mirë as për ne as për ata dhe duhet gjetur një alternativë e mirë që në 2027 të kenë minuta. Më mirë në ekipe me pak emra dhe të kenë minuta sesa në ekipe me emra të mëdhenj dhe mos të kenë minuta. Kam si shembull Bashën, i cili është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne, që luan me Catanzaron në Serinë B, por s’ka marrë minuta. Ne duhet t’i ndihmojmë që të jenë gati për Europianin e 2027’-shtoi Alban Bushi

Për trajnerin e Kombëtares U21, është e rëndësishme që të krijohet një grup i konsoliduar në kuadër të Euro 2027.

Disa lojtarë i kemi pasur në mendje, që mund të ishin. Por duke kërkuar gjithmonë lojtarë, futbolli është i tillë që zhvillohet çdo ditë. Dhe lojtarët  zhvillohen. Mund të kesh 1-2 lojtarë të sigurt, por mund të vijnë dy të tjerë më të mirë. Dhe ky është ekipi kombëtar. Lojtarët duhet të jenë në formë maksimale për të përfaqësuar Shqipërinë. Duhet t’i japin gaz për të marrë pjesë në Europian. Ne kemi 6-7 sulmues, 4 prej të cilëve do të vijnë në Europian. Për këtë arsye duhet të luftojnë shumë, të kenë minuta në këmbët e tyre, të bëjnë sa më shumë gola dhe të jenë aktivë. Uroj të bëjmë një ekip solid. Unë besoj shumë sepse kemi luajtur shumë mirë ndeshjet e fundit, kemi krijuar lojën tonë. Të gjithë e dinë se çfarë duhet të bëjnë. Uroj që edhe lojtarët e rinj të integrohen sa më shpejt me lojën tonë’-tha Alban Bushi që më pas foli edhe për objektivin e skuadrës së tij ndaj Uzbekistanit

‘Objektivi është dhe ka qenë gjithmonë fitorja. Intensiteti dhe agresiviteti në fushë për të dhënë maksimumin në fushë. Në momentin që jep maksimumin, nuk është problem rezultati. Do ta bëjmë këtë gjë edhe ndaj Uzbekistanit. Të gjithë e dinë se çfarë duhet të bëjnë-përfundoi trajneri i Kombëtares U21

Top Channel