Kryepeshkopi i Parisit, Laurent Ulrich hapi dyert e katedrales gjatë një ngjarjeje solemne ku morën pjesë rreth 3 000 të ftuar – pasi ndërtesa ikonë u përfshi pjesërisht në flakë në prill të vitit 2019.
Përafërsisht 40 liderë dhe personalitete, duke përfshirë presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier, trashëgimtarin britanik princ William, zonja e parë e SHBA-së, Jill Biden, presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky morën pjesë në rihapjen e monumentit 850-vjeçar të Parisit.
“Sonte, kambanat e Notre Dame po bien sërish”, tha presidenti francez Emmanuel Macron në një fjalim brenda kishës.
Katedralja, në zemër të kryeqytetit francez, u përfshi nga zjarri i vitit 2019, i cili shkatërroi të gjithë strukturën e çatisë, kullën dhe një pjesë të qemerit të sipërm. Shkaku i zjarrit mbetet i panjohur.
Macron kujtoi orët e ankthit kur katedralja ishte në flakë dhe shqetësimet se vendi i adhurimit mund të digjej tërësisht nga flakët.
“Fatmirësisht, u bë e mundur shuarja e zjarrit”, tha Macron.
“Ne vendosëm të rindërtonim Notre Dame de Paris, tani edhe më të bukur brenda pesë viteve”, tha ai.
“Kjo u bë e mundur përmes një përpjekjeje të madhe kolektive”, shtoi Macron.
“Një vëllazëri e atyre që kanë dhuruar nga të gjitha kontinentet, të gjitha fetë, të gjitha mjetet, të bashkuar nga shpresa dhe të mbledhur brenda mureve të saj”, tha ai.
Pas zjarrit, më shumë se 840 milionë euro u mblodhën si donacione për të restauruar monumentin ikonë dhe puna e rindërtimit filloi në vitin 2021 pas një faze të gjatë pastrimi.
Kryepeshkopi Ulrich kryesoi ceremoninë fetare, me ngjarjen e planifikuar për të përfunduar me një koncert me yje të muzikës pop dhe klasike, duke përfshirë legjendën kineze të pianos, Lang Lang.
Megjithatë, ishte prania e Trump – në udhëtimin e tij të parë jashtë vendit që nga fitorja e tij në zgjedhjet presidenciale të nëntorit – që tërhoqi vëmendjen më të madhe në ngjarje, pasi presidenti i zgjedhur u takua me Macron dhe Zelensky në Pallatin Élysée.
Rihapja unike e katedrales ishte një shpërqendrim i mirëpritur për Macron, i cili po përballet me një krizë politike në vend.
Presidenti francez është në procesin e zgjedhjes së një kryeministri të ri – pasi qeveria e mëparshme u rrëzua këtë javë në një votë mosbesimi. //a.i/