ATSH – I. Vata/ Komisioni për Sigurinë Kombëtare, zhvilloi në kuadër të kontrollit parlamentar takim në qendrën e pritjes së azilantëve në Gërhot, në Drejtorinë e Policisë Gjirokastër dhe në pikën e kalimit kufitar Kakavijë.

Ky takim u organizua me mbështetjen e Prezencës së OSBE në Tiranë, në kuadër të bashkëpunimit dhe mbështetës së vazhdueshme që zyra e OSBE i ofron Parlamentit dhe veçanërisht Komisionit parlamentar për Sigurinë Kombëtare.

Gjatë këtyre takimeve, anëtarët e komisionit u njohën me situatën e migracionit të parregullt dhe problematikat e hasura me azilkërkuesit, situatën e rendit dhe sigurisë në qarkun e Gjirokastrës, kushtet institucionale, angazhimin e Policisë së Shtetit në luftën ndaj krimit, bashkëpunimin me institucionet vendore dhe qendrore si dhe synimet dhe prioritetet për të ardhmen, me qëllim rritjen e performancës. /j.p/