Kryenegociatori Mazi u takua me ministrin e Punëve të Jashtme, Pekka Haavisto, me të cilin shkëmbeu mendime për një numër çështjesh të rëndësishme, si bashkëpunimet rajonale, vendimet për kuadrin negociues për Shqipërinë dhe konferencën e parë ndërqeveritare, ngërçi dhe bllokimi i ecurisë për shkak të mosmarrëveshjes midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, etj.
“Qëndrimi i qartë i Shqipërisë iu paraqit edhe një herë ministrit, përfshirë me argumentet përse duhet bërë sa më parë konferenca, përse duhet zgjidhur urgjent mosmarrëveshja dhe, sa kohë duhet të rrijë peng e kësaj Shqipëria, kur ajo nuk ka asnjë lidhje me këtë gjë. Alternativa e vetme është vijimi i procesit të integrimit”, thuhet në deklaratën e shpërndarë për mediet.
Ministri Haavisto konfirmoi mirëkuptimin e palës finlandeze dhe mbështetjen e saj për plotësimin nga Shqipëria të gjithë kërkesave të Këshillit për mbajtjen e konferencës.
“Qëndrimi i Finlandës ka qenë dhe është mbështetës i qartë i vijimit të procesit të zgjerimit pa humbur kohë tjetër me Shqipërinë. Shqipëria i ka plotësuar kërkesat”, deklaroi Haavisto.
Më tej, në deklaratë bëhet e ditur se u shkëmbyen mendime për rritjen dhe forcimin e bashkëpunimit në fusha të tjera, ai në arsim, bujqësi, turizëm, institucionet e zbatimit të ligjit, etj.
Kryenegociatori zhvilloi takime edhe me funksionarë të lartë drejtues të Ministrisë së Drejtësisë, të menaxhimit të burimeve pyjore dhe prokurimit publik, me drejtorë të lartë të ministrisë së jashtme dhe negociatorë të Finlandës për hyrjen e saj në BE, me sekretar të komisionit parlamentar për marrëdhëniet me BE dhe me drejtorin e Policisë në Ministrinë e Brendshme në Finlandë. /j.p/


























