Universiteti “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan ishte ndalesa e radhës të forumeve të dialogut me qytetarët dhe grupet e interesit për konsultimin e draftit të përgatitur nga ekspertët e Nivelit të Lartë të atashuar pranë Kuvendit për finalizimin e Dokumentit Analitik mbi situatën aktuale në fushën e Mirëqeverisjes, Antikorrupsionit dhe Sundimit të ligjit.
Nën moderimin e Evis Kushit, anëtare e Komisionit të Posaçëm, me studentë dhe pedagogë të Fakultetit të Biznesit dhe Drejtësisë, të Universitetit të Elbasanit, u diskutuan gjetjet kryesore, arritjet dhe problematikat e evidentuara nga analiza e kryer nga Ekspertët e Nivelit të Lartë për të tre shtyllat objekt pune e komisionit të posaçëm.
I pranishëm në takim ishte dekani i këtij fakulteti prof. as. dr. Shpëtim Çerri.
Prof. dr. Migena Leskoviku, shefe e departamentit të Legjislacionit dhe Politikës së BE-së në Institutin e Studimeve Evropiane, Universiteti i Tiranës bëri një përmbledhje të analizës dhe çështjeve që duhen adresuar në lidhje me: transparencën në reformën e administratës publike, efektshmëria dhe integriteti i administratës publike, llogaridhënia e institucioneve të pushtetit qëndror dhe vendor, ofrimi i shërbimeve të digjitalizuara ndaj qytetarëve, dhe efektiviteti dhe transparenca në menaxhimin e financave publike.
Prof. dr. Nada Dollani, përfaqësuese e Qendrës ALTRI, bëri një prezantim të komponentëve dhe gjetjeve të ekspertëve të angazhuar në shtyllën e Antikorrupsionit lidhur me: parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit politik, parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit në sektorët me risk më të lartë ndaj korrupsionit në qeverisjen qendrore dhe vendore, funksionimi dhe efiçenca e institucioneve që luftojnë korrupsionin, konfliktin e interesit dhe abuzimin me financat publike; Parandalimi i financimeve të paligjshme dhe i pastrimit të parave dhe ndërtimi i një shoqërie me integritet.Më pas biseda u përqendrua në tezat për diskutim publik ku të pranishmit dhanë sugjerime konkrete për t’u adresuar në Planin Kombëtar të Veprimit lidhur me: nevojën për ndryshime më ligjin 48/2014 “Për të drejtën tregtare” dhe nevojën për ta përshtatur me Direktivën e BE, përmirësimi i cilësisë së relacioneve që shoqërojnë projektligjet, adresimin e vendimmarrjeve të GJEDNj-së në ndryshime ligjore, nevojën për përfshirjen në kurrikulat arsimore të çështjeve të integritetit, nevojën e edukimit ligjor, gjetja e mekanizmave dhe mesazheve sa më të qarta për t’u afruar dhe përfshirë qytetarët dhe grupet e interesit në proceset reformuese që do kalojë shoqëria në kuadër të integrimit të vendit, etj.
Anëtarja e Komisionit të Posaçëm, Milva Ekonomi, pasi informoi mbi forumet e dialogut me qytetarët dhe fazat e punës së komisionit, nënvizoi rëndësinë e gjithëpërfshirjes së gjithë shoqërisë në proces për të garantuar rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe ofrimit të shërbimeve për të garantuar standardet evropiane.
Anëtarja e Komisionit të Posaçëm, Etilda Gjonaj theksoi rëndësinë e rritjes së ndërgjegjësimit qytetarë për të forcuar mekanizmat sinjalizuese apo denoncuese të rasteve të korrupsionit, nxitjen e modeleve pozitivë dhe integritetit, si dhe ftoi të rinjtë të jenë aktorë dhe kontribuues në procesin integrues.
Në përfundim të takimit, Evis Kushi pasi falënderoi pjesëmarrësit për bashkëbisedimin, i ftoi të konsultohen dhe bëhen pjesë e dialogut interaktiv me ekspertët nëpërmjet faqes së dedikuar komisionit të posaçëm www. masl.al. atsj