Grupe nga Kosova, Bullgaria, Franca, Mali i Zi, Greqia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria sollën në qytetin e Korçës një festë emocionesh duke përcjellë ritmet e muzikës folk dhe jazz.
Kryetari i bashkisë Korçë, Sotiraq Filo vlerësoi paradën e organizuar në rrugët e qytetit, e cila sipas tij, “u kthye në një mozaik gjuhësh, kostumesh dhe identitetesh, që u prit me entuziazëm nga qytetarët dhe vizitorët, një dëshmi e gjallë e shpirtit ballkanik që bashkon përtej kufijve”.
Në mbrëmje, tingujt e folk-ut dhe jazz-it përshkuan Pazarin e Vjetër, duke sjellë një atmosferë të jashtëzakonshme.
“Nën dritat e skenës, me publikun që këndonte, kërcehej dhe festonte, Korça u ndez me energjinë e një nate që nuk harrohet lehtë. Një tjetër natë që dëshmon pse Korça është kryeqyteti i shpirtit, i kulturës dhe mikpritjes”, tha Filo.
/m.m/j.p/