ATSh/ Korridori VIII, me pikënisje në kompleksin portual Durrës–Porto Romano dhe dalje në Detin e Zi është përfshirë zyrtarisht në planet dhe infrastrukturën kritike ushtarake të NATO-s, duke u njohur si korridor sigurie për mbrojtjen kolektive të Aleancës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama ndau disa nga veprat që janë studiuar, projektuar dhe po zbatohen nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë si vepra përbërëse të këtij Korridori.

Në veprat e ndërtuara dhe që po ndërtohen në terren në kuadër të Korridorit VIII përfshihen autostrada moderne, ndërtimi i portit strategjik të Porto Romanos, si dhe hekurudhat e mbështetura nga Bashkimit Evropian.

“Korridori VIII, pjesë e rrjetit europian TENT, tashmë i certifikuar si korridor sigurie për forcat e NATO-s”, shkruan Rama.

Hekurudha Durrës-Rrogozhinë do të rikonstruktohet dhe elektrifikohet si pjesë e Korridorit VIII, me një projekt që pritet të përfundojë në vitin 2028. Kjo linjë pritet që të mundësojë udhëtime me shpejtësi deri në 120 km/h. Projekti përfshin zgjerimin e trasesë, ndërtimin e urave të reja, rindërtimin e tunelit të Rrogozhinës dhe ndërtimin e stacioneve të reja.

Korridori 8 është një nga projektet bërthamë të infrastrukturës, i cili ndërlidhet me tre rrjete të tjera të rëndësishme rrugore si dhe me Korridoret 4, 9 dhe Rrjetin Transeuropian.

Përfshirja e Korridorit të VIII si korridor sigurie për forcat e NATO-s, e pozicionon Shqipërinë në një nyje strategjike të arkitekturës së sigurisë euroatlantike dhe e vendos vendin në qendër të planeve rajonale dhe infrastrukturave, ku NATO do të përqendrohet në vitet në vijim.

Korridori 8, një nyje rrugore dhe hekurudhore që nis në Brindisi në Itali, kalon nëpërmjet Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe përfundon në portet e Bullgarisë, që nga 1 dhjetor 2022 është pjesë e rrjetit strategjik të transportit Europian (TEN-T).

/m.q/j.p/