ATSH/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se siguria ndërkombëtare kërkon më pak armë bërthamore dhe jo rritje të arsenalit nuklear, veçanërisht në rastet kur shtete autoritare përpiqen të pajisen me të tilla armë.

Në një postim sot në rrjete sociale, Kurti u shpreh se Republika e Kosovës qëndron përkrah ShBA-ve dhe Bashkimit Evropian në lidhje me shqetësimet për programin bërthamor të Iranit.

“Siguria ndërkombëtare ka nevojë për më pak armatim nuklear dhe jo më shumë bomba bërthamore që vënë në rrezik gjithë njerëzimin. Posaçërisht kur shtete autoritare zhvillojnë programe për pajisje me armatim nuklear, kjo çështje bëhet urgjente dhe alarmuese”, ka shkruar Kurti.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës:

“ShBA-të janë aleati ynë kryesor, partneri i pazëvendësueshëm dhe miku special. Republika e Kosovës është e përcaktuar fuqishëm në mbrojtje të vlerave demokratike dhe euro-atlantike.”

Kjo deklaratë vjen në një kohë kur tensionet ndërkombëtare për çështjen e armatimit bërthamor janë në rritje, veçanërisht pas zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme.

/KosovaPress/