Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko mbajti fjalën sot në në tryezën e diskutimit për nxitjen e kreditimit në sektorin bujqësor.
Ai deklaroi se niveli i kreditimit për këtë sektor është i ulët dhe se duhet korrigjuar.
Sejko: Në radhë të parë, dëshiroj t’ju falënderoj për pjesëmarrjen në këtë tryezë diskutimi, të organizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Financave. Kjo tryezë ka për qëllim të identifikojë rrugët dhe instrumentet e duhura për hapjen e një kapitulli të ri në kreditimin e sektorit bujqësor të vendit.
Sikundër e kemi theksuar edhe në shumë tryeza e platforma të mëparshme komunikimi, kreditimi i sektorit bujqësor ka qenë dhe mbetet një dobësi strukturore e ekonomisë dhe e sektorit tonë bankar.
Kjo dobësi ilustrohet qartë nëse krahasojmë peshën e madhe që ka sektori bujqësor në ekonominë shqiptare me nivelin e kreditimit që ai përfiton nga sektori bankar. Ky sektor siguron rreth 20% të PBB-së së vendit dhe ofron punësim për rreth 1/3 e popullsisë, ndërkohë që përfiton më pak se 2% të kredisë totale. Për më tepër, trendet e viteve të fundit nuk janë aspak pozitive.
Arsyet e shkallës së ulët të kreditimit të sektorit bujqësor – duke filluar nga problemet e pronësisë dhe duke vijuar me nivelin e lartë të informalitetit, rrezikun relativisht të lartë të biznesit, si dhe produktivitetin e ulët si pasojë e mungesës së ekonomive të shkallës, – i kemi diskutuar në vazhdimësi. Një pjesë e këtyre problemeve mbeten ende relevante, ndërkohë që një pjesë tjetër e tyre janë drejt zgjidhjes.
Megjithatë, edhe në këtë kontekst sfidues, nivelet aktuale të kreditimit për bujqësinë mbeten të ulëta. Kjo është një mangësi, e cila duhet korrektuar një orë e më parë, nëse synojmë të nxisim zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori jetik për ekonominë shqiptare.
Të ndërgjegjshëm për këtë, Banka e Shqipërisë vendosi në fokus të Programit të saj të Financimit të Biznesit Mikro, të Vogël e të Mesëm, rritjen e kredisë për sektorin bujqësor. Ky program, pjesë e së cilit janë bërë të gjithë aktorët e sektorit bankar, ju ofron ju një bazë të sigurt e të qëndrueshme fondesh, me kosto të ulët, për kreditimin e projekteve të zhvillimit të sektorit bujqësor, duke përshirë edhe agroturizmin dhe industrinë agroushqimore.
Së fundmi, Qeveria Shqiptare ka ndërmarrë hapa konkretë në këtë drejtim, duke vënë në dispozicion një skemë garancie sovrane për kreditë e dhëna ndaj sektorit bujqësor. Kjo garanci ul ndjeshëm rrezikun e kreditimit të këtij sektori, duke reduktuar ndjeshëm dhe një nga problemet fondamentale që kemi diskutuar, kolateralin.
Në gjykimin tonë, këto dy projekte zhvillimi ofrojnë një platformë solide për të hedhur një hap të ri cilësor përpara në kreditimin e bujqësisë. Megjithatë, suksesi i kësaj platforme varet në një masë të madhe nga përfshirja dhe angazhimi juaj për shfrytëzimin e instrumenteve të saj.
Në këtë kontekst, më lejoni të tërheq vëmendjen tuaj në tre momente të rëndësishme.
- Së pari, në aspektin e ngushtë të interesit të bizneseve që ju drejtoni, dëshiroj të theksoj se shkalla e ulët e kreditimit të sektorit bujqësor nuk duhet të shihet vetëm si dëshmi e problemeve që ekzistojnë në këtë proces, por dhe si tregues potencial i kthimit të lartë që mund të siguroni nga investimi në të. Për këtë arsye, ju ftoj t’i jepni bujqësisë vëmendjen dhe ekspertizën që meriton.
- Së dyti, në aspektin e zhvillimit të përgjithshëm ekonomik, rritja e sektorit bujqësor në sinkron dhe paralel me sektorët e tjerë të ekonomisë, duhet parë si një element esencial për zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të vendit. Nga ky këndvështrim, si aktorë primarë në jetën ekonomike dhe financiare të vendit, ju duhet të konsideroni kreditimin e sektorit bujqësor, si një investim me kthim pozitiv në zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të vendit.
- Së treti, si aktorë të rëndësishëm në jetën shoqërore të vendit, mbështetja e sektorit bujqësor duhet të shihet edhe si detyrim moral ndaj Shqipërisë, vendi në të cilin zhvilloni me siguri dhe rentabilitet biznesin tuaj. Përkrahja e industrisë së zinxhirit ushqimor mbetet një faktor me rëndësi të vërtetë jetike për një vend dhe popullsinë e tij.
Të nderuar përfaqësues të sektorit bankar,
Çështjet që ngrita më sipër dëshiroj t’i shihni më tepër si një apel ndaj anës suaj racionale, se sa asaj emocionale. Banka e Shqipërisë nuk do të marrë në asnjë moment, masa që mund të cenojnë qëndrueshmërinë e bilanceve tuaja financiare apo që bien ndesh me interesat e stabilitetit financiar të vendit në afatin e gjatë.
Megjithatë, brenda këtyre piketave, mendoj se do të ishte me vend të bënim një diskutim të hapur e transparent, në interes të inicimit të një qasjeje të re ndaj kreditimit të sektorit bujqësor, në përputhje me interesat afatgjata të zhvillimit ekonomik e social të vendit
Top Channel



























