ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca tha se, “investimet e viteve të fundit në sektorin e ujitjes dhe kullimit kanë dyfishuar sipërfaqen e ujitshme në bujqësi, ndërsa synojmë të çojmë vaditjen me ujë në çdo fermë”.
Në në seancën plenare të Kuvendit, në interpelancën e kërkuar sot nga deputeti Erion Braçe, mbi situatën e vaditjes në bujqësi në zonën Lushnje- Divjakë, Krifca theksoi se, gjatë periudhës 2013-2022 në sistemet e ujitje kullimit, janë investuar në shkallë vendi 23 miliard lekë, ku zona e Divjakë-Lushnje ka qenë më e përfaqësuar me 4.6 miliardë lekë ose 34% të totali tët investimeve”.
Krifca bëri të ditur se, përmes investimeve janë rehabilituar dhe ndërtuar mbi 44 diga rezervuaresh, 90 km argjinaturë, 24 km kanale të ujrave të lartë dhe u sistemuan 30% e hidrovorëve të vendit.
Sot sipërfaqja ujitëse është dy herë më e madhe, krahasuar me 2013 dhe vaditen rreth 260 mijë ha tokë bujqësore që përbën rreth 70% të potencialit të ujitjes në shkallë vendi.
Duke u ndalur specifikisht në investimet në zonën Lushnje Divjakë, Krifca tha se, kjo zonë ka përfituar investime në 4,3 miliardë lekë duke rritur në 75% sipërfaqen e ujitshme në bujqësi.
Gjatë 2013-2021 në zonën Lushnje – Divjakë, janë kryer investime që kanë rehabilituar dy diga të Thanës dhe Divjakës, 5 skema ujitjes që mbulojnë vaditjen në një sipërfaqe mbi 29 mijë ha tokë nga të cilat 20 mijë ha në Lushnje dhe 9 mijë ha Divjakë.
Krifca vuri në dukje se projektet për sistemin e ujitjes dhe kullimit do të vazhdojnë dhe janë prioritet edhe gjatë këtij viti, ku fokus të veçantë siç tha ajo “padyshim janë zonat me potencial të lartë bujqësor dhe eksporte, ku bën pjesë rajoni Lushnje- Divjakë”.


























