TIRANË, 4 maj /ATSH/ Universiteti Bujqësor i Tiranës, është kthyer në një qendër të rëndësishme të dijes, që ofron mundësi shumë të mira formimi për të rinjtë, duke kontribuar në punësimin e tyre.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, bëri të ditur se, pothuajse të gjithë të diplomuarit në Universitetin Bujqësor të Tiranës, punësohen menjëherë.
“Një pjesë e tyre vijojnë punësimin në sektorin e bujqësisë, ushqimit dhe peshkimit. Pjesa tjetër përqafojnë një profesion jashtë kësaj fushe, ndërkohë që sektori ka mjaft nevoja për profesionistë të rinj”, tha Krifca, teksa e evidentoi këtë fakt, fokus të diskutimeve mes aktorëve të linjës.
Ministrja theksoi se, “punësimi brenda sektorit, ishte shtysa që në ‘Dialog me Ministren’, platformën e debatit konstruktiv që zhvillojmë pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës, çdo muaj, me profesorë, studentë dhe aktorë të sektorit, të ndërmarrim nismën për të adresuar këtë problematikë”.
“Nënshkruam kështu një marrëveshje trepalëshe mes Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe 11 bizneseve agroushqimore apo në bujqësi për të ofruar punësim brenda sektorit”, tha Krifca.
Ajo e cilësoi një hap të rëndësishëm, marrëveshjen për të ndërtuar urën që mban në një anë studentët që duan të punësohen në profesionin që kanë zgjedhur të marrin edukim, dhe në anën tjetër kompani që kërkojnë punonjës të specializuar në fushat e bujqësisë.
“Së bashku me UBT do ta monitorojmë nga afër këtë proces dhe angazhimi e inkurajimi ynë për të rinjtë në bujqësi nuk do të ndalet”, deklaroi ministrja. /j.p/


























