Kriza politike në rritje në Bullgari veçse ka sinjalizuar pasojat e drejtpërdrejta dhe afatgjate për ekonominë e këtij shteti dhe partnerët e tij evropianë.
Por, çfarë mund të prisni kur inflacioni i lartë, pandemia e pamëshirshme dhe kërcënimi se shteti mund të tërhiqet në një luftë rajonale komplikohet edhe më shumë nga një faktor i katërt?
Javën e kaluar, Slavi Trifonov, njoftoi se partia e tij, Ka një popull të tillë, po tërhiqej nga koalicioni qeverisës, që ka marrë detyrën gjashtë muaj më parë. Ai tha se arsye për këtë ishin dështimet e supozuara politike mbi Maqedoninë e Veriut, procesi i së cilës për anëtarësim në Bashkimin Evropian është bllokuar nga Sofja për shkak të çështjeve etno-kulturore. Trifonov po ashtu tha se tërheqja po bëhej për shkak të fondeve të pamjaftueshme për infrastrukturë.
Por, rezultatet e këtij vendimi do të ndihen edhe në sektorë të tjerë, teksa bota po përballet me kriza të shumëfishta dhe skena politike në Bullgari po shkon drejt një pike kthese.
Ëndërrta për euron
Në fund të majit, Qeveria e Petkovit nisi zbatimin e një plani operacional për të miratuar valutën e përbashkët të Eurozonës duke filluar nga janari i vitit 2024. Por, vendimi ishte marrë pa votat e partive të koalicionit, Socialistëve dhe Ka një popull të tillë. Këto dy parti mbështesin miratimin e valutës së përbashkët evropiane, por fillimisht duan që të shohin analiza për pasojat e mundshme të përdorimit të valutës euro.
Ligjvënësit nga partia Ka një popull të tillë e Trifonovit, kanë dorëzuar propozime për pezullimin e këtij plani deri kur Asambleja Kombëtare të miratojë analizat për efektet lidhur me kalimin e përdorimit të euros. Deputetët e partisë opozitare, Lëvizja për të Drejta dhe Liri, në anën tjetër nuk e kanë kundërshtuar këtë qëndrim, por kanë kërkuar qartësi. Partia Rilindja ndërkaq është shprehur kundër miratimit të vendimit për përdorimin e valutës euro.
Plani qeveritar parasheh hapa specifikë për shtetin deri në miratimin e euros, përfshirë ndryshimin e ligjeve dhe udhëzuesve për bankat dhe institucionet qeveritare. Një punë e tillë teknike merr kohë. Nëse Qeveria rrëshqet nga respektimi i kujdesshëm i hapave të këtij plani, objektivi i janarit 2024 mund të humbet lehtësisht.
Raporti i fundit i Komisionit Evropian për Konvergjencën, i publikuar më 1 qershor, thotë se aktualisht vetëm Kroacia përmbush të gjitha kërkesat që e lejojnë atë të miratojë valutën e përbashkët në fillim të vitit të ardhshëm. Bullgaria ende nuk e ka përmbushur kriterin e stabilitetit të çmimeve – do të thotë vuan nga inflacioni i tepërt – dhe nuk ka miratuar ende rregullat e nevojshme ligjore.
Cilado qoftë arsyeja specifike e çdo sulmi të supozuar ndaj Qeverisë, tabloja e madhe mbetet e pandryshuar: Bullgaria po bën në kthesë dhe nuk është drejt Perëndimit./REL
Top Channel



























