Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, priti në një takim drejtuesin artistik të festivalit, Adonis Filipi, si dhe trupat teatrore pjesëmarrëse nga Turqia, Serbia dhe Greqia.

 

Me datën 2 tetor nisi edicioni i 27-të i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Skampa 2025”, duke sjellë në skenën e qytetit shfaqje nga 9 trupa teatrore të huaja dhe shqiptare. Deri më 6 tetor, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë performanca nga teatri shtetëror turk i Ankarasë dhe i Stambollit, si dhe nga trupa të Greqisë, Kosovës, Lituanisë, Serbisë dhe Shqipërisë.

 

Përveç shfaqjeve, programi i festivalit përfshin edhe aktivitete të tjera si workshop-e, ekspozita fotografike dhe promovime librash kushtuar artit skenik.

 

Mbrëmja e parë u hap me shfaqjen “Medea – Material”, të Heiner Müller-it, e sjellë për herë të parë në turqisht nga Teatri Shtetëror i Ankarasë dhe ai i Stambollit, e cila rrëmbeu duartrokitjet e publikut elbasanas.

Kryebashkiaku Gledian Llatja, u shpreh se është shumë krenar që Elbasani mirëpret trupa të huaja dhe se publiku elbasanas vlerësohet për mikpritjen dhe dashurinë ndaj artit. Ai shtoi se Festivali “Skampa” është një vlerë e shtuar për qytetin dhe një traditë që forcon identitetin kulturor të Elbasanit.

Në fjalën e tij, drejtuesi artistik Adonis Filipi theksoi rëndësinë e këtij edicioni dhe falënderoi Bashkinë e Elbasanit për mbështetjen e vazhdueshme. Festivali zhvillohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Bashkisë së Elbasanit dhe partnerëve kulturorë ndërkombëtarë.

 

Që prej vitit 1999, Festivali “Skampa” është kthyer në një nga ngjarjet më të rëndësishme të artit skenik në Shqipëri, duke sjellë risi dhe duke krijuar një traditë të veçantë që bashkon artistë dhe publik nga mbarë bota.