Takimi në Lagjen “Vullnetari, Gjiknuri: “Kundështari ka nisur të përgatisë alibinë e humbjes”

Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri bashkë me kryebashkiakun Gledian Llatja zhvilluan një bashkëbisedim me banorët e lagjes “Vullnetari” për çfarë është bërë deri më tani dhe projektet për 4 vitet e ardhshme për gjithë Bashkinë e Elbasanit.

Numri dy i socialistëve nënvizoi se Gledi e ka treguar veten këto vite se di të punojë dhe të tërheqë investime. “Ka bërë shumë punë. Unë në fakt kam qenë dëshmitar vetë vitin e fundit, ku një pjesë e madhe e lagjes u asfaltua. Realisht tashmë ka ndryshuar. Patjetër që kryetari i bashkisë do të ndërhyjë nëpër lagje, do të ndërhyjë dhe në fshatra, sidomos me hapje rrugësh me kanale, me ndërhyrje në ndriçim publik, të gjitha këto janë detyrë e kryetarit të bashkisë. Por veprat e mëdha, të cilat do t’i mundësojnë këtij që nga taksat e qytetarëve t’i çojë aty ku duhet, të mirëadministrojë të ardhurat e bashkisë, pjesën më të madhe të financimeve për projektet e mëdha ta bëjë qeveria shqiptare. Prandaj është shumë e rëndësishme ta mbajmë këtë binom bashki-qeveri”, deklaro ai.

Gjiknuri nënvizoi se mbështetja e qeverisë është e domosdoshme për të përfunduar projektet e mëdha të nisura. Duke komentuar kandidaturën përballë, Gjiknuri tha se alternativa që ofrohet është riciklim i dyshes Berisha—Meta. “Në Elbasan që të ecë përpara zhvillimi, që të mbarojnë të gjitha ato projekte të mëdha që u folën këtu, na duhet mbështetja e qeverisë shqiptare. Pra vota e 14 Majit e çimenton këtë marrëdhënie, bashki socialiste-qeveri socialiste. E dyta, kur themi Gledi nuk është vetëm, Gledi ka një ekip politik. Ata ju vijnë vetëm. Pse ju vijnë vetëm? Le të zbërthejmë pak kundërshtarin, se ka rëndësi për ta ditur. Ata ju vijnë vetëm, sepse ata nuk ballafaqohen dot me njerëzit. Për shembull kandidati kundërshtar ka frikë të thotë se kush e ka sjellë. Kur vjen këtu në Elbasan, ulet tek e tek thotë: “jam një si ju”, po ndërkohë ai është i deleguari dhe i dërguari i “martesës” Berisha – Meta. Martesë e re zakone të vjetra. Kjo është e vërteta. Në fletën e votimit është‘BF’ – Ilir Meta alias Luçiano Boçi. Pra, këtë nuk e thotë ai se i vjen zor. Pra e di që ata baballarët e tij politik nuk përfaqësojnë asgjë për Elbasanin”, nënvizoi ai.

Drejtuesi politik tha se kundërshtari e ka bazuar fushatën e tij mbi mashtrimet, ndërkohë që ka nisur të përgatisë dhe alibinë e humbjes së zgjedhjeve. “Dhjetë ditëshin e fundit do thotë na vodhën. Mbajeni mend do të fillojnë akuzat, sepse e ndjejnë që qytetarët e Elbasanit e kanë kuptuar të vërtetën. Nuk votojnë as për përfaqësuesin e Saliut dhe Ilirit këtu dhe as për ata baballarët politikë të Tiranës.
Më 14 Maj ju bëni vlerësimin e politikave të qeverisë. Nuk janë vetëm zgjedhje vendore këto janë dhe zgjedhje politike. Pse? Qeveria Rama ka filluar disa politika që unë si socialist jam shumë krenar, që adreson nevojat e shtresave masive të popullsisë, siç është rritja e pagës për administratën publike. Kjo do të çojë në rritjen e pagës mesatare. Po rriten pagat e mjekëve, infermierëve, mësuesve, profesionistëe në administratën shtetërore. Është e rëndësishme, sepse na duhet që të rinjtë dhe të rejat që mbarojnë shkollën të punojnë këtu, të kenë të ardhme këtu”.
Ai u ndal dhe në akuzat ndaj inceneratorit, duke theksuar se qytetarët e Elbasanit kanë tashmë një qytet më të pastër dhe nuk duan kthimin pas. “Njëherë dilte aty dhe thoshte inceneratori s’po punon dhe sulmoi bashkinë. Filloi punën impianti i përpunimit të mbetjeve. Tani ka nxjerrë teorinë dhe do të terrorizojë qytetarët, ju thotë atyre, këtu ka mbetje kancerogjene. I tha një gazetar: “Ore si zgjidhet kjo e plehrave?” I tha:”Më mirë ashtu siç ishim”. Pra thotë ti djegim ashtu siç kanë qenë. Pra djegia siç kanë qenë nuk shkakton sëmundje, kurse përpunimi me një impiant modern teknologjik shkakton sëmundje. E kuptoni se çfarë logjike politike ka kundërshtari?! Pra këto janë disa kontraste për të nxjerrë kush është e vërteta për të. Kandidati i Saliut dhe Ilirit që thotë këto broçkulla në Elbasan”, deklaroi Gjiknuri.

Kryebashkiaku Gledian Llatja siguroi për vijimin e investimeve në këtë njësi, ndërsa garantoi se puna nuk do të ndalet për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm për Elbasanin. “Do të mbyllim sheshet e pallateve, do të mbyllim të gjitha punët në të gjithë lagjet, me ndriçim, pallatet me sistem kapot. Ne kemi një zhvillim të qëndrueshëm gjatë këtij 4- vjeçari, do të vazhdojmë përsëri,do të vazhdojmë edhe një mandat tjetër të bëjmë punë të mira për Elbasanin, të bëjmë punë të mira për lagjen ” Vullnetari”, të bëjmë punë të mira për ” Partizanin”, për lagjen ” Haxhias”, si edhe për të gjithë lagjet tona në Elbasan. Ne e dimë që ” Vullnetari” ka qenë gjithmonë një lagje që na ka mbështetur, na ka mbështetur fort,dhe ne do ta mbështesim. Ne e kemi mbështet pa kushte , e kemi filluar urbanizimin e zonave pikërisht nga këtu dhe do të vazhdojmë si një model të tillë në të gjithë lagjet e tjera”, deklaroi Llatja. Kreu i Bashkisë renditi dhe disa nga investimet madhore që janë parashikuar të bëhen në Elbasan. “Ne nuk e ndalojmë zhvillimin e Elbasanit, edhe sidomos për interesat e vogla të Saliut, Ilirit, apo të këtyre që kanë sjellë këtu në Elbasan. Elbasani do të vazhdojë të zhvillohet, Elbasani do të eci përpara, Elbasani do të zhvillojë infrastrukturën sepse ka njerëz të mirë dhe punëtorë. Do të vazhdojë me shkollat, kopshtet, me cerdhet, do të rregullojmë pallate dhe fasadat tona të përbashkëta. Do të bëjmë by passin e Elbasanit, do të bëjmë shëtitoren buzë lumit Shkumbin, do të bëjmë Koridorrin 8 – në bashkëpunim me qeverinë, do të zhvillojmë Gjinarin, Funarin, do të zhvillojmë infrastrukturën në Tregan”, shtoi më tej kryebashkiaku Llatja.