Pas takimeve të njëpasnjëshme që sektori i transportit në bashki zhvillon me operatorët e taksive 4+1, nisur nga shqetësimet e tyre, sot opoeratorët u pritën në takim dhe nga Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja.
Së bashku me një përfaqësi të këtyre operatorëve Llatja diskutoi mbi problematikat, ligjet që organizojnë transportin publik dhe mënyrat si mund të ndihmohet ky sektor i rëndësishëm ishërbimit.
Bashkia Elbasan ka bërë maksimumin për të krijuar kushte të përshtatshme për operatorët e licencuar, duke garantuar rend, transparencë dhe konkurencë të ndershme.
97 vendqëndrime për taksi 4+1 janë miratuar nga Këshilli Bashkiak në janar të vitit 2020. Kjo do të thotë se kemi më shumë vende sesa mjete të licencuara, duke garantuar hapësirë të mjaftueshme për të gjithë operatorët.
Për të mbrojtur konkurencën e ndershme dhe për të luftuar aktivitetin e paligjshëm, Bashkia Elbasan, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake dhe atë Rrugore, monitoron dhe ndëshkon rastet e taksive të paligjshme. Këto janë problematika që i kemi trajtuar veçanërisht në zona si Bradasheshi, ku kemi marrë masa konkrete për të garantuar rregull dhe barazi për të gjithë operatorët e licencuar.
Një tjetër hap përpara është marrëveshja e fundit me Spitalin Rajonal të Elbasanit, ku janë krijuar 5 vende të reja qëndrimi taksi brenda territorit të spitalit. Ky është një shembull konkret i angazhimit tonë për të përmirësuar infrastrukturën dhe për t’iu përgjigjur kërkesave të qytetarëve.
Edhe një herë sqarojmë se pretendimet për vendqëndrime të dedikuara për çdo operator taksi 4+1 nuk qëndrojnë ligjërisht. Taksitë janë mjete shërbimi në lëvizje dhe çdo operator ka të drejtën të ndalojë në vendqëndrimet e përcaktuara, duke respektuar radhën dhe rregullat.
Pas kërkesave të operatorëve Z. Llatja menjëherë ka ngritur një grup pune për të qenë edhe më agresiv ndaj konkurencës së pandershme, por edhe ndaj respektimit të rregullave nga operatorët e licensuar, si përdorimi i taksimetrit etj.
Bashkia e Elbasanit është gjithmonë një derë e hapur dhe suport për çdo subjekt që kryen aktivitetin në këtë bashki.