ATSH-AFP/ – Një rajon i gjerë në qytetin Guangzhou, në jug të Kinës, u kufizua sot ndërkohë që autoritetet lokale po përpiqen të frenojnë një rritje të rasteve me COVID-19.

Njëzet raste me COVID-19 u sinjalizuan javën e kaluar në këtë qendër industriale në veri të Hong Kongut, që numëron rreth 15 milionë banorë.

Një njoftim nga Zyra bashkiake e Shëndetit në Guangzhou, i publikuar sot, ka identifikuar pesë rrugë të rajonit të Liwanit në qendër të qytetit si zona me rrezik të lartë dhe urdhëroi banorët e tyre të qendrojnë të kufizuar deri në përfundimin e testimeve.

Tregjet, shkollat dhe vendet e argëtimit të këtij rajoni janë mbyllur.

Autoritetet lokale filluan testet e depistimit masiv të popullsisë.

Shfaqja e rasteve në Guangzhou është e lidhur, sipas zyrtarëve lokalë të shëndetësisë, me një grua 75-vjeçare me variantin që u shfaq në Indi.

Gjiganti aziatik, vendi i parë i goditur nga pandemia në fund të vitit 2019, që prej asaj kohe ka frenuar kryesisht sëmundjen, por ka forcuar kufizimet pas një ringjalljeje të pandemisë në vendet fqinje.

Kina numëron 91 061 raste dhe 4 636 të vdekur, sipas shifrave të fundit nga Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë./ /ec/