Në kuadër të aktiviteteve festive që organizohen nga Bashkia Elbasan me rastin e festës tradicionale të Dita e Verës, do të merren një sërë masash për mbarëvajtjen e aktiviteteve dhe menaxhimin e trafikut në qytet.

Sipas njoftimit zyrtar, nga data 12 deri më 15 mars 2026 do të ketë kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa segmente kryesore të qytetit të Elbasan.

Më 12 mars 2026, do të bllokohet për 24 orë segmenti nga Teatri Skampa deri te rrethrrotullimi i “1 Majit”.

Ndërsa në datat 13 dhe 14 mars, për 48 orë, do të bllokohet segmenti nga Elbasan Arena deri te rrethrrotullimi i “1 Majit”.

Po ashtu, më 15 mars 2026, për 24 orë, do të bllokohet i njëjti segment nga Stadiumi “Elbasan Arena” deri te rrethrrotullimi i “1 Majit”.

Autoritetet bëjnë me dije se gjatë ditëve të festimeve do të ndalohet parkimi i mjeteve në qendër të qytetit dhe përgjatë bulevardit “Aqif Pasha”, me qëllim shmangien e trafikut dhe garantimin e një qarkullimi sa më të lehtë për qytetarët dhe vizitorët.

Për këtë arsye janë përcaktuar edhe zona të posaçme parkimi për mjetet që vijnë nga drejtime të ndryshme.

Për mjetet që vijnë nga lindja (Ura e Bakallit) është përcaktuar parkimi te Parku i Mallrave.

Për mjetet që vijnë nga jugu (Kryqëzimi i Cërrikut) parkimi do të jetë te Shkolla e Formimit Profesional dhe në parkimin e ri pranë Varrezave Publike.

Ndërsa për mjetet që vijnë nga perëndimi (Kryqëzimi i Luleve) parkimi do të jetë te Shkolla Profesionale Sali Ceka dhe në afërsi të Doganës, si dhe në hapësirën para stacionit të trenit.

Gjithashtu, është bërë e ditur se autobusët e linjës Tiranë–Elbasan do të stacionohen te Dogana pranë shkollës profesionale, ndërsa autobusët e linjës Elbasan–Cërrik do të stacionohen te ish-ofiçina në rrugën e Urës, pranë tregut industrial.

Gjatë këtyre ditëve, Policia Rrugore dhe Policia Bashkiake do të jenë në terren për të monitoruar trafikun dhe për të orientuar mjetet drejt zonave të parkimit të përcaktuara.

Për më shumë informacion, qytetarët mund të kontaktojnë Bashkia Elbasan në numrin e telefonit: +355 54 400152.