ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot një videomesazh nga Nice, qyteti në Francë, aty ku po mbahet Konferenca e Oqeaneve të Kombeve të Bashkuara.

Kumbaro tha se Shqipëria nuk prezantohet vetëm në nivel pjesëmarrjeje në këtë aktivitet të rëndësishëm, por bëhet pjesë e Konventës për të drejtat e Detit dhe Oqeaneve duke firmosur angazhimin e saj në qeverisjen, përdorimin e qëndrueshëm dhe mbrojtjen e biodiversitetit detar krah 60 shteteve të tjera të botës.

“Nga Nice në Francë ku po mbahet Samiti për të drejtën e Detit dhe Oqeaneve në kuadrin e emergjencave nga ndryshimet klimatike ku të gjitha vendet e Kombeve të Bashkuara nën udhëheqjen e Francës dhe Presidentit Macron ratifikuan Konventën për të drejtën e Detit dhe Oqeaneve dhe rolin që mund të luajë secili nga vendet. Shqipëria e ratifikoi këtë konventë në Kuvendin e Shqipërisë të enjten e kaluar, dhe sot e dorëzojmë në prani të 60 vendeve të tjera, që ishte numri i detyrueshëm që kjo konventë të marrë formë ligjore”, tha Kumbaro.

Ministrja Kumbaro u shpreh se Shqipëria radhitet, krah vendeve të cilët bëjnë një punë shumë të madhe në mbrojtjen e mjedisit dhe mjedisit detar duke ruajtur zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë, të turizmit, por edhe mbrojtjes së mjedisit.

“Shqipëria nuk është vend ndotës, në rend global dhe as nuk impakton ndryshimet klimatike, por me modelet e saj vazhdon të jetë në krye të tavolinave të debatit që nga lumi i egër i fundit në Evropë, lumi Vjosa tashmë Park Kombëtar me 480 km vijë lumore, deri tek shtimi i sipërfaqeve të zonave të mbrojtura, gjetja e një ekuilibri të drejtë midis zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit, ekonomisë lokale të agroturizmit dhe mbrojtjes së mjedisit”, pohoi Kumbaro.

Kumbaro pohoi se “janë të gjitha instrumente të cilat në një ekuilibër jo të lehtë për një vend kaq të vogël sa Shqipëria, që territoret i ka më kufizim të arrijë të bëhet model në mënyrë modeste krah vende me një zhvillim shumë të madh që i kanë kapërcyer kufijtë e kontinenteve”.

“Jemi këtu dhe do të vazhdojmë të ndërtojmë modelin tonë që Shqipëria ta mbrojë mjedisin, ta mbrojmë natyrën për fëmijët tanë. Ja u kemi borxh”, tha Kumbaro.

Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 71 vota pro javën që kaloi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtën e detit mbi ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të diversitetit biologjik detar të zonave përtej juridiksionit kombëtar”.

Nëpërmjet ratifikimit të kësaj marrëveshje ajo që përfiton drejtpërsëdrejti Shqipëria është ndërtimi dhe përmirësimi i kapaciteteve dhe transferimi i teknologjisë detare, që konsiston në dhënien e mbështetjes për përforcimin e angazhimeve.

/e.i/a.f/