Ëndrra e Botërorit u shua në Varshavë. Kombëtarja shqiptare, e cila humbi ndaj Polonisë në gjysmëfinalen e play-off-it të Botërorit, humbi shansin për të marrë biletën për ëndrrën e madhe si pjesëmarrëse në fazën finale të Kupës së Botës 2026.
Tani duhet të gjejë forcën për të parë përpara, edhe pse nga ky moment kuqezinjtë do të provohen në miqësore dhe të martën do të përballen ndaj një skuadre tjetër që e njeh mirë hidhërimin e eliminimit, Ukrainën, e eliminuar nga Suedia, në të njëjtën ditë me eliminimin tonë nga Polonia.
Kombëtarja shqiptare mbërriti pasditen e së premtes në Valencia, ku po vijon përgatitjet për ndeshjen miqësore të 31 marsit ndaj Ukrainës, një sfidë që bashkon dy kombëtare me të njëjtën dhembje. Skuadra e drejtuar nga trajneri Sylvinho ka zhvilluar seancën e parë stërvitore në qendrën Parador de El Saler të Valencias paraditen e së shtunës, duke u përqendruar në ushtrime fizike, qarkullimin e topit dhe skema taktike
Grupi i 24 lojtarëve ishte i plotë dhe lojtarët janë në gjendje të mirë fizike. Ndeshja miqësore Ukrainë–Shqipëri do të luhet më 31 mars, ora 20:45, në “Estadi Ciutat de València”, Spanjë, dhe si gjithmonë do të keni mundësi ta ndiqni drejtpërdrejt në DigitAlb.
Edhe pse motivimi i play-off-it i ka lënë vendin hidhërimit, ky takim miqësor është shansi i Sylvinhos për të testuar zgjidhje të reja, për t’u dhënë minutazh lojtarëve që kanë pritur radhën dhe për të rifilluar.
Ukraina nuk do të jetë kundërshtar i lehtë, por ndoshta pikërisht kjo është sfida e duhur për të treguar se Shqipëria di të reagojë pas rënies.
Top Channel


























