Kryeministri Edi Rama zhvilloi një bashkëbisedim me studentët në Tiranë, duke folur për ecurinë e procesin e negociatave të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Ai iu drejtua studentëve se anëtarësimi në BE do t’i ndihmojë ata të kenë mundësinë që të studiojnë në universitetet europiane njësoj si në Tiranë.
“Ndërkohë që po flisnin ministrat po bëja një numërim të sallës. Ka rreth 27 djem. Por më e rëndësishmja është që gjithë pjesa tjetër janë vajza. Unë besoj shumë te vajzat dhe te gratë dhe mendoj se është evidente në këtë shoqëri që jetojmë, që nëse do ketë shpëtim njerëzimi, ai do i vijë nga gratë dhe vajzat.
Më vjen mirë që jemi këtu për të folur për këtë temë, që në pamje të parë duket një temë që flitet përditë, por është larg. Shumëkujt i duket që ne jemi në Europë për sa kohë mund të lëvizim lirisht, për sa kohë mund të qëndrojmë dhe të punojmë në Europë dhe të tjerat janë gjërat që nuk kanë lidhje me ne. Por ky proces është i tillë që sa më shumë ta ndjekësh, aq më shumë mëson se sa larg është një vend që nuk është brenda BE-së.
Patjetër që mund të vendosni të studioni jashtë, por në momentin që vendosni të kaloni kufirin pa vizë, jeni të huaj. Në çastin kur kapërceni pragun e një universiteti, nuk jeni studentë europianë, jeni studentë të huaj. Dhe si të tillë trajtoheni ndryshe. Nuk keni të njëjtat kushtet si të studentëve europiane dhe pavarësisht se mund të jeni shumë të zotë, paguani shumë më tepër se studentët europiane, sepse jeni të huaj.
Me anëtarësimin në BE kjo ndryshon krejtësisht. Ju jeni vendas, si këtu në Tiranë, si në një auditor në Lisbonë apo Varshavë. Jeni vendas dhe për këtë arsye nuk paguani më shumë sesa paguajnë vendasit. Nuk do të keni asnjë vështirësi më shumë për të pasur akses në shërbimet që kanë studentët vendas dhe pastaj nuk do të jen të huaj kur vjen fjala për tregun e punës. Mund ta zgjidhni punën jo vetëm kufijve të Tiranës apo të Shqipërisë, por mund të kërkoni punën në çdo qytet të gjithë Europës si vendas. Askush nuk ju sheh askund në ato qytete dhe t’ju thotë: ‘Nga je ti? Këtu je në BE’.
Kjo është një përpjekje që ka kuptim dhe impakt të drejtpërdrejt për secilin prej jush. Pjesa tjetër ka të bëjë me sa shumë gjëra vijnë këtu, për universitetin, laboratorët, për ju. Programe, financime, e kështu me radhë’, tha ndër të tjera Rama.
Top Channel


























