Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar të premten për vizitë zyrtare në Francë, ku pritet të takohet me presidentin Emmanuel Macron.

Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë më shumë hollësi rreth këtij takimi. Por, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka pretenduar të enjten mbrëma në televizionin Prva në Beograd, se kryeministri Kurti mund t’i kërkojë liderit francez plotësimin e ca kushteve “kundër popullit serb”.

Sipas presidentit serb, Kurti ka shkuar në Paris me “dy kërkesa”: që Serbisë t’i vendoset kusht për të mos përdorur kurrë armë kundër shqiptarëve, përkatësisht kundër Kosovës, dhe që NATO-ja të largohet nga zona tokësore e sigurisë, në mënyrë që Forca e Sigurisë së Kosovës të mund të shkojë në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe. Vuçiç pretendon se “agjendën e Kurtit në Paris” e ka mësuar përmes “njerëzve tanë në rrethin e Kurtit”

Mes tjerash, Vuçiç ka thënë se shpreson që NATO-ja “nuk do t’i mbështesë këto kërkesa dhe jam i sigurt që as Macron nuk do t’i mbështesë”.

“Ky do të ishte sulm i drejtpërdrejtë ndaj paqes, sulm i drejtpërdrejtë ndaj popullsisë sonë, ndaj gjithë Serbisë, dhe jam pothuajse i sigurt se kjo nuk do të ndodhë”, tha Vuçiç.

Radio Evropa e Lirë e ka pyetur Qeverinë e Kosovës për qëndrimin e saj lidhur me pretendimet e Vuçiçit, por nuk ka marrë ende përgjigje.

Shqetësimet e Kosovës për armatosjen e Serbisë dhe veriu

Pretendimet e Vuçiçit vijnë në një kohë kur autoritetet kosovare kanë shprehur shqetësim pasi Serbia bleu raketat balistike supersonike CM-400 nga Kina në fillim të muajit.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, i tha Radios Evropa e Lirë më 13 mars se Serbia, përmes këtyre blerjeve, po shfaq “tendenca hegjemoniste” karshi vendeve fqinje.

Rreth një javë më vonë, Kurti e akuzoi Beogradin për shfaqje të “agresionit” pasi ushtria serbe kreu stërvitje më 19 mars në një fshat të banuar me shqiptarë etnikë në jug të Serbisë, në kufi me Kosovën.

Ai tha asokohe se “jemi thellësisht të shqetësuar me demonstrimin e pajustifikueshëm ushtarak të Serbisë, me helikopterë e parashutistë, në zonat e banuara me shqiptarë në Bujanoc, fare pranë kufirit me Kosovën”.

Por, misioni i NATO-s në Kosovë, i tha Radios Evropa e Lirë se ato stërvitjet nuk përbënin rrezik dhe se ishte njoftuar paraprakisht nga Beogradi se Forcat e Armatosura të Serbisë do të zhvillonin stërvitje të planifikuara në fshatin Muhovc, pranë kufirit jugor të Kosovës. KFOR-i është përgjegjës për sigurinë e kufijve të Kosovës me Serbinë, ndërsa për pjesën tjetër të vijës kufitare është Policia e Kosovës.

Kosova dhe Serbia ndajnë një vijë kufitare të gjatë rreth 400 kilometra.

Forca e Sigurisë së Kosovës, FSK, nuk ka të drejtë të shkojë në veriun e banuar me shumicë serbe, pa e marrë pëlqimin paraprak të misionit paqeruajtës të NATO-s, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës ndaj NATO-s.

Ky angazhim, i dhënë përmes një letre nga ish-kryeministri Hashim Thaçi drejtuar sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, mbetet në fuqi edhe sot, pavarësisht ndryshimeve në mandatin e FSK-së.

Hera e fundit kur FSK-ja ishte në veri, me pëlqimin e KFOR-it, ishte më 29 korrik të vitit 2025, në një operacion kur gjeti trupin e pajetë të një personi që kishte kërcyer nga ura në liqenin e Ujmanit.

FSK-ja është në proces të shndërrimit në ushtri, pas ndryshimeve ligjore të miratuara. Ky proces pritet të përmbyllet më 2028./REL

Top Channel