ATSH/- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi sot se nuk ndjehet i rrezikuar, pasi një natë më parë ai u shoqërua me masa shtesë të sigurisë pas njoftimeve për një kërcënim ndaj tij.

Kurti deklaroi se organet e sigurisë janë ato që e vlerësojnë kërcënimet. Megjithatë, shefi i qeverisë tha se këto kërcënime që u bënë të mërkurën nuk ia ndryshuan axhendën.

“Së pari unë nuk ndihem i rrezikuar, mirëpo janë organet e sigurisë ato të cilat i vlerësojnë kërcënimet dhe i ndërmarrin veprimet në përputhje me rrethanat e caktuara. Përndryshe, unë as dje, e as sot nuk e kam ndryshuar agjendën time… Unë iu përgjigja që nuk ndihem i rrezikuar, mirëpo organet e sigurisë janë mekanizma të shtetit që i bëjnë vlerësimet kur ngjajnë kërcënime nëpër rrjete sociale, të cilat unë nuk kam mundësi që t’i ndjek. Fizikisht për mua është e pamundur të merrem me kërcënimet ndaj fizikut tim. A e kuptoni”, u shpreh Kurti.

Shkak i kërcënimeve mbrëmjen e së mërkurës u shtua siguria për kryeministrin Kurti. Numër më i madh i forcave të Njësisë Speciale të Kosovës rrethuan edhe shtëpinë e kryeministrit.

Personi që pretendohet se kërcënoi Kurtin është nga një profil me emrin “Marki Mario” i publikuar në “Shes Blej Gjithçka”.

Kërcënuesi ka thënë se dhuron 35 mijë euro për personin që vret kryeministrin Kurti, duke e quajtur hajt dhe kriminel. /KosovaPress/