Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi informoi sot se Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për riorganizimin e Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA) në Akademinë e Shkencave.
Në një deklaratë për mediet pas mbledhjes së qeverisë, Kushi tha se “në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave miratuam një vendim, i cili ka pasur ditët e fundit shumë debate, diskutime madje edhe dizinformime edhe spekulime, për riorganizimin e Akademisë së Studimeve Albanologjike. ASA nuk plotëson kriteret për të qenë institucion i arsimit të lartë. Synimi është ta ngremë albanologjinë shqiptare në një nivel të ri për sa i takon vlerave dhe identitetit tonë kombëtar”.
“Në fakt ASA është krijuar në 2007 me vendim të Këshillit të Ministrave. Ka qenë pikërisht shkëputja e instituteve që deri në atë kohë kanë qenë pranë Akademisë së Shkencave, duke u grumbulluar bashkë e duke krijuar qendrën e studimeve albanologjike që më pas me miratimin e ligjit në vitin 2015 kërkoi kjo qendër, senati që të kthehej në një lloj të institucioni të lartë të llojit akademi”, tha Kushi.
Kushi u shpreh se “Ministria e Arsimit e miratoi dhe kërkoi në mënyrë të vazhdueshme që ky institucion i arsimit të lartë të riorganizohej për t’u përputhur me kriteret ligjore të ligjit për Arsimin e Lartë. Por ASA edhe pse mori këtë emër u miratua edhe u mbështet në mënyrë të vazhdueshme nuk arriti që të riorganizohej për të qenë në respekt të ligjit”.
“Në janar të 2023 MAS filloi një kontroll ligjshmërie sepse e ka detyrim ligjor në institucionet e Arsimit të Lartë përfshirë edhe ASA. Aty u konstatuan një sërë problematikash, shkelje të rënda ligjore si të llojit të strukturës apo organizimit, por edhe nga ana e funksionimit administrativ dhe financiar”, tha Kushi.
Ministrja Kushi theksoi se “ASA sot që flasim dhe asnjëherë nuk ka pasur një fakultet, që është detyrimi i parë ligjor që të ketë një fakultet dhe në asnjë prej mjediseve të saj nuk ka mësimdhënie, që e bën të pamundur të vazhdojë të funksionojë si institucion i Arsimit të Lartë. ASA është e paakredituar si nga ana institucionale dhe e programeve të studimit”.
Në përditësim…


























