TIRANË, 30 gusht/ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi zhvilloi sot një takim me përfaqësuesit e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Chad Twitty dhe Amanda Roberson, me të cilët diskutoi rreth projekteve të përbashkëta në fushën e arsimit.
Gjatë takimit të organizuar në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë midis Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Ambasadës së SHBA, Kushi i falënderoi ata për ofrimin e bursave të studimit për të rinjtë shqiptarë në programe pasuniversitare në universitetet më prestigjioze amerikane.
“Këta të rinj kur kthehen japin kontribut të rëndësishëm për zhvillimin e vendit”, tha Kushi në një postim në rrjetet sociale.
Ministrja Kushi u shpreh se “prioritet në vijim do të jenë edhe programet e edukimit dhe trajnimit përmes ekspertëve amerikanë, veçanërisht për trajnimin e mësuesve të gjuhës angleze, tashmë që kjo është përfshirë në kurrikulat tona arsimore për nxënësit në të gjitha shkollat që në klasën e parë”.
“Mirënjohje për ambasadën e SHBA-së në Tiranë për mbështetjen e vazhdueshme që jep në fushën e arsimit”, tha Kushi.



























