Sot, më 19 gusht, Kuvendi i Malit të Zi, do të mbajë votë mosbesimi ndaj Qeverisë së kryeministrit, Dritan Abazoviç. Seanca është caktuar në orën 11:00.

Në të do të marrë pjesë edhe vetë Abazoviç me ministrat e kabinetit të tij. Për të rrëzuar Qeverinë, e cila deri më tani ka funksionuar si pakicë, janë të nevojshme votat e të paktën 41 deputetëve, nga gjithsej 81 sa janë në Kuvend.

Iniciativa për rrëzimin e Qeverisë, e prezantuar nga Partia Demokratike Socialiste e presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, dhe një pjesë e partive në tjera, është shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Abazoviçit për nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.

Kjo marrëveshje u vlerësua si e dëmshme për interesat kombëtare të shtetit.

Iniciatorët po ashtu kanë vlerësuar se Qeveria ka pasur detyrë prioritare reformimin e sistemit gjyqësor dhe forcimin e sundimit të ligjit, ashtu që të përshpejtohet procesi i integrimit evropian.

“Për shkak të sjelljes së papërgjegjshme të Abazoviçit, që rezulton në rritje të tensioneve në shoqëri, dhe humbje potencialisht të pariparueshme të kohës për përmbushje të obligimeve nga agjenda jonë evropiane, Qeveria e ka humbur legjitimitetin e saj”, është thënë në iniciativë.

Votat e kujt janë të sigurta?

Iniciatorët për rrëzimin e Qeverisë kanë 36 deputetë të shumicës parlamentare, të udhëhequr nga Partia e Gjukanoviqit, e cila i ka dhënë më parë mbështetje pakicës së kryeministrit Abazoviç.

Së bashku me këtë parti, nismën për rrëzimin e Qeverisë e ka përkrahur edhe Partia Socialdemokrate, e cila ka dy poste ministrore, Socialdemokratët, që janë në opozitë, Partia Liberale dhe Bashkimi Demokratik i Shqiptarëve.

Qeveria e Abazoviçit është formuar më 28 prill, meqë në shkurt është rrëzuar Qeveria e Zdravko Krivokapiqit, pikërisht me iniciativën e Abazoviçit.

Qeveria e Krivokapiqit është formuar nga Fronti Demokratik, Demokratët, dhe Lëvizja qytetare, URA, e Abazoviçit.

Qeveria e ekspertëve, në krye me Krivokapiqin, dhe ajo e pakicës, në krye me Abazoviçin, janë formuar në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të gushtit 2020.

Në atë proces zgjedhor, opozita e atëhershme pati mundur Partinë Demokratike të Gjukanoviqit (DPS) dhe partinë e saj partnere.

Në ato zgjedhje parlamentare, DPS ka humbur pushtetin pas 30 vjetëve dhe ka kaluar në opozitë.

Mundësi e re për të rrëzuar Qeverinë më 2 shtator

Nëse Qeveria e Abazoviçit mbijeton, e ardhmja e saj do të sfidohet sërish më 2 shtator, kur do të mbahet seanca e re e Kuvendit, me iniciativën e Frontit Demokratik dhe Demokratëve.

Këtë propozim e kanë paraqitur 32 deputetë, duke kërkuar njëkohësisht që në atë seancë të diskutohet edhe shkarkimi i kryetares së Kuvendit, Danijela Gjuroviq.

Partitë opozitare nuk kanë shpjeguar pse kanë propozuar një datë të re për diskutimin e rrëzimit të Qeverisë së Abazoviçit, kur të premten, më 19 gusht, do të votohet për diçka të tillë.

Dy nismat për rrëzimin e Qeverisë së Abazoviçit janë nënshkruar nga gjithsej 68 deputetë të partive në pushtet dhe opozitë, nga 81 deputetë sa janë në Kuvendin e Malit të Zi./Radio Evropa e Lirë

 

Top Channel