ATSH/ Kuvendi i Shqipërisë mbajti sot një minutë heshtje në nderim të ish-Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, e cila u nda dje nga jeta në moshën 84-vjeçare.

Zëvendëskryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj tha se “Albright i shërbeu me të njëjtin përkushtim popujve dhe kombeve të botës që aspirojnë për liri, demokraci dhe paqe. Zonja Albright hyr në shërbimin publik dhe jetën politike për t’iu përkushtuar vendit të saj, kombeve dhe njerëzve kudo në planet, siç është shprehur edhe vetë ajo si një njeri i lirë dhe vizionare e paqes”.

“E 64 sekretare e Departamentit të Shtetit dhe e para grua në këtë detyrë Albright kontribuoi që SHBA të bëhen një udhëheqës moral, komb dhe faktor i domosdoshëm për zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare. Sekretarja Albright ka një meritë të veçantë në kombinimin e rolit vendimtar të SHBA me aleancat dhe vendimet multilaterale.Shqipëria dhe shqiptarët i janë mirënjohës Albright për kontributin e saj përcaktues në vendimin për sulmet e NATO-s, të cilat çuan në çlirimin e Kosovës”, theksoi Felaj.

Më herët kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në fjalën e tij ka kërkuar një minutë heshtje nga deputetët e Kuvendit të Shqipërisë për të nderuar ish-Sekretaren Amerikane të Shtetit, Madeleine Albright.

“Ftoj të gjitjë deputetët për të mbajtur një minutë heshtje në nder të një zonje të fortë dhe të hekurt, ish-Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, të cilën ne shqiptarët do ta kujtojmë si Sekretarja e Shtetit e luftës në Kosovë. Të mos harrojmë që të gjitha partitë tona kanë pasur mundësinë ta takojnë edhe si Presidente e Bordit të Drejtorëve të Institutit Demokratik Amerikan”, tha Balla.

Një minutë heshtje në nderim të Albright kërkuan edhe deputetët e opozitës, Jorida Tabaku dhe Edmond Spaho.

“Në emër të grupit parlamentar demokrat kemi kërkuar mbajtjen e një minutë heshtje në nder të zonjës Madeleine Albright për të vlerësuar rolin e saj në Ballkan, për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe për rolin e saj që ndodhi në Kosovë kundër spastrimit dhe gjenocidit”, tha Tabaku.

Ndërsa Spaho u shpreh se “sikur e dini është në nderin e këtij Kuvendi që të mbajë një minutë heshtje për ndarjen nga jeta të ish sekretares amerikane së shtetit Madeleine Albright, për shkak dhe të kontributit të saj në çështjen e Kosovës”.

Madeleine Albright, nënë e tre fëmijëve shërbeu nën drejtimin e presidentit Bill Clinton nga viti 1997 deri në 2001 dhe ka qenë në pozicionin e diplomates për një kohë të gjatë.

Albright emigroi me familjen e saj në Shtetet e Bashkuara në 1948 nga Çekosllovakia për t’i shpëtuar nazistëve dhe ishte gjithashtu anëtare e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Ajo nxiti zgjerimin e NATO-s drejt lindjes në ish-bllokun sovjetik dhe ndihmoi në udhëheqjen e fushatës së bombardimeve të NATO-s në 1999 për të ndalur spastrimin etnik në Kosovë.