Kylian Mbappe nuk flet shpesh, por kur e bën, deklaratat e tij nuk janë thuajse kurrë të parashikueshme. Kështu ndodhi edhe në bashkëbisedimin e gjatë që ai pati në podcastin ‘The Bridge’ të shokut të tij të skuadrës kombëtare dhe Realit të Madridit, Aurelien Tchouameni.
Ylli francez i futbollit foli për shumë tema; që nga largimi nga PSG e deri te Lionel Messi
‘Më quanin majmun, doja të lija kombëtaren-ishte zbulimi më shokues i Mbappe-kur humba penalltinë ndaj Zvicrës, nisën të më thërrisnin majmun. Për mua të isha në kombëtare ishte maksimumi. Por njerëzit të hedhin poshtë nëse nuk shënon. Kjo ndryshoi raportin tim me kombëtaren. Gjatë ditëve të para në pushime ishta një zombie. Rashë shumë keq. Kur erdha në kombëtare fitova menjëherë Botërorin, isha një hero kombëtar. I thashë vetes: ‘Ah Franca, është fantastike’. Por papritur të përplaset në fytyrë një gjë e tillë që të hap sytë
Mbappe pranoi se ia pohoi edhe presidentit të asaj kohe të Federatës franceze La Graët se mendonte tërheqjen nga kombëtarja e vendit transalpin
‘I thashë se nuk doja të vishja më fanelën e Kombëtares-shtoi Mbappe-luaj për personat që mendojnë se unë jam majmun nëse nuk shënoj. Nuk mund të luaj për njerëz të tillë’. Një opsion që nuk u mor në konsideratë nga kreu i futbollit francez. ‘Ai më tha: ‘Dhe ti mendon se do të dalësh nga kjo zyrë dhe unë të të them po? Gabohesh’-shtoi sulmuesi francez që në fund vendosi të mos tërhiqet, por pa e fshirë kurrë një plagë që kishte mbetur e thellë
Ylli francez foli edhe për faktin që Paris Saint Germaini pas largimit të tij fitoi tripletën e trofeve sezonin e kaluar me Mbappe që nuk duket se është i penduar për vendimin e tij.
‘Nëse do të isha larguar përpara fundit të sezonit dhe ata do të kishin fituar, do të isha ndjerë keq-tha Mbappe-por unë u largova në fund të sezonit, historisë sime në Paris i erdhi fundi. Përjetova 7 vjet ku arritëm thuajse çdo objektiv të mundshëm. Nuk kishte kuptim të vazhdoja. Në Ligën e Kampioneve arritëm në gjysmëfinale, finale, arritëm në çerekfinale. I bëmë gjithçka. Vitin paraardhës arritëm në gjysmëfinale ndaj Dortmundit dhe humbëm. Por nëse atë ndeshje do ta luanim 500 herë, do të fitonim 499 herë’
Më pas Mbappe u pyet se cili është futbollisti më i fortë me të cilin kishte luajtur, me sulmuesin që nuk pati asnjë dyshim për përgjigjen e tij.
‘Messi është i jashtëzakonshëm. Neymar? Leo është ndryshe, bën gjithçka në perfeksion -tha Mbappe që tregon edhe një anekdotë për argjentinasin-po ushtroheshim me gjuajtje te PSG. Unë dhe Neymar ishim më të mirët, në krye të futbollit botëror, shënuam 6-7 herë në 10 goditje dënimi. Të gjithë erdhën të na bënim komplimenta: ‘ëoë, Kylian ishe fantastik, por nuk ke parë Leon…’. Ai bëri 9 gjuajtje dhe shënoi 9 gola identikë, të gjithë goditje dënimi perfekte dhe unë pashë portierin si për t’i thënë: ‘por nuk e kuptove se do të gjuante atje?’ Është i pabesueshëm’.
Top Channel



























