ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës Shqiptare, Artan Lame reagoi sot lidhur me një fenomen shoqërues të punës në sistem elektronik, ku sipas tij, po bëhen disa raste të identifikuara nga ky institucion për përpjekje për të prodhuar dokumente pronësie false, certifikata pronësie të manipuluara, apo për të përfshirë në dokumentacionin zyrtar ekzistues dokumente të dyshimta.
Në një deklaratë për mediet, Lame theksoi se “sa kohë që Hipoteka e vjetër ishte e bazuar nëpër letra të shkruara me dorë, të vulosura të rruga e Kavajës këto lloj letrash edhe mund të ecnin. Sa kohë që Kadastra e vjetër ishte bazuar te regjistrat ku grisej Lena dhe ngjitej Prena, ishte e munduar që të tilla dokumente të jepnin përfitim, qoftë për atë që i bënte jashtë zyrës, e qoftë për atë që i pranonte brenda zyrës”.
“Por tani që jemi në kohën e kompjuterit, kemi dy gjëra që kanë ndryshuar: E para, kompjuteri nuk korruptohet dot dhe ta tregon menjëherë kur diçka nuk shkon; E dyta, kompjuteri le shenjë, pasi çdo veprim në kompjuter ka datë, orë, minutë dhe sekondë, si edhe emër të atij që e ka bërë veprimin”, tha Lame.
Kreu i Kadastrës vuri në dukje se në rrjetën e sistemit elektronik, po fillojnë të ngecin lloj-lloj dokumentesh të falsifikuar.
“Kemi identifikuar raste të tilla në disa prej drejtorive rajonale të Tiranës, Kamzës, Fierit dhe Durrësit. Të gjitha këto raste të identifikuara deri tani, do të denoncohen me emër dhe mbiemër në Prokuroritë përkatëse dhe, ata që i kanë kryer, do të duhet të përgjigjen për veprimet e kryera. Nuk kam toleruar asnjë rast të identifikuar të punonjësve të brendshëm të Kadastrës, ndaj ca më pak kam ndërmend të toleroj abuzime me pronat të kryera nga njerëz të jashtëm”, shtoi Lame.
Lame i bëri thirrje masës së qytetarëve të ndershëm që të tregojnë kujdes kur blejnë prona apo kryejnë veprime me pronat e tyre.
“Jo çdo copë letre që ju jepet në dorë nga lloj-lloj xhambazësh, është certificate pronësie.
Në të gjitha rastet kur ju duhet të bëni veprime të tilla, drejtojuni avokatit tuaj të besuar apo noterit, pasi këta janë persona që mbajnë përgjegjësi ligjore për veprimin që kryejnë.
Mbi të gjitha, aplikoni pranë zyrave të Kadastrës për të kërkuar informacion paraprak që është më i sigurti”, tha Lame.
/k.s/j.p/



























