Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur mbarimin e mandatit të Ardian Dvorani, si gjyqtar në Gjykatën e Lartë, rrjedhimisht edhe nga drejtimi i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi por procedura është tërësisht e paqartë dhe e pambështetur në ligj apo Kushtetutë.
Anëtarët vendosën me 6 vota pro përfundimit të mandatit ndersa 3 prej tyre kanë qenë kundër. Me largimin e Dvoranit, në krye të KED pritet të jetë Vitore Tusha.
Ndërkaq nuk është e panjohur ‘lufta’ e Presidentit Meta me Dvoranin dhe preferenca që ka kreu i shtetit ndaj Vitore Tushës por tanimë e gjithë kjo ka vënë në pikëpyetje reformën në drejtësi. Për dritëhijet e largimit të tij ka folur vetë Dvorani, në një intervistë të gjatë në RTSH me Preç Zogajn, ku ka dhënë një mesazh të fortë duke thënë se në ushtrimin e detyrës së tij “nuk e llogarit fare se kë ka përballë.”
“Unë nuk jam shkarkuar nga KLGJ. Është shumë e vështirë t’i japësh shpjegim asaj që ka bërë KLGJ se nuk është as masë disiplinore, as shkarkim…
Nuk e prisja, shpresoja që KLGJ mos e merrte këtë vendim për shumë arsye. Unë nuk kam betejë me askënd personalisht, unë thjesht kam ushtruar detyrën time dhe në ushtrimin e detyrës sime, unë nuk llogaris fare kush është përballë meje, unë ushtroj kompetencat e mia, sinoret sipas Kushtetutës janë të ndara.
Janë jo pak vite, 6 vite. Është një gjë e pazakontë, unë këtë ia kam shpjeguar KLGJ-së dhe ju kam thënë që kjo është situatë e pazakontë por nuk ka asnjë lidhje me sjelljen time por ka të bëjë me detyrimin për të zbatuar me Kushtetutën e Ligjit. Kushteuta parashikonte në vitin ’98 që mandati i Gjykatës së Lartë është 9 vjet, jo sa të emërohet një gjyqtar tjetër. Por në vitin 2013 me propozim të grupit të mazhorancës së djathtë u vendos rregulli që kreu i Gjykatës së Lartë qendron deri në emërimin e të riut. Mua më kapi ky rregull. Sigurisht që nuk është e parashikuar në Kushtetutë por është në ligj”, tha Dvorani duke iu përgjigjur kështu pyetjes se pse nuk u largua nga detyra kur i mbaroi mandati.
“Unë kam mendimin kjo është doktrinale, askush në këtë vend, aq më tepër gjyqtari apo presidenti s’ka të drejtë të zgjedhë në do e zbatojë apo jo një ligj. Nëse një ligj që duhet të zbatojë është në kundërshtim me ligjin, i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Kur kjo derë është e mbyllur, zbaton ligjin. Në 2016-ën, i njëjti grup paralamentar paraqiti një kërkesë në GJK dhe kërkonte të shfuqëzonte normën që kishte propozuar vetë, përmendej dhe emri im aty. Grupi i opozitës së tanishme. GJK mori vendimin e saj në korrik 2016 por zbardhja e vendimit ka ndodhur nga fundi i muajit korrik dhe botimi i saj ndodhi disa ditë pasi kishte hyrë paketa e re kushtetuese. Pra Kushtetuta parashikonte që gjyqtari i GJK duhet të qendrojë deri në emërimin e pasardhësit.
GJK nuk përmend emrin tim. Kur shfyqëzohet një ligj vetëm GJK mund të japë efekt prapavrues.
Unë e kisha të pamundur të largohesha nga detyra pasi neni g thotë se nëse largohesha, për 15 vjet nuk do isha më gjyqtar”, u shpreh Dvorani teksa ngriti alarmin që KLGJ është vënë në lëvizje me kërkesë të Metës ndërkohë që është një organ i pavarur.
“Është e rëndë, kjo vendimarrje e djeshme, e gjithë procedura e djeshme nuk është e përcaktuar në ligj a Kushtetutë. E treta që është shumë e rëndë, KLGJ që është organ i pavarur, është vënë në lëvizje me kërkesën e Presidentit. Por për cfarë u bë kjo reformë? Që KLGJ të vihet në lëvizje mbi kërkesat që vijnë nga jashtë sistemit?! Presidenti dhe KLGJ në procedurën e vendeve vakante janë në të njëjtin nivel, asnjëri nuk mund të marrë rolin e babait në zbatimin e Kushtetutës. Janë të dy të barazvlefshëm. Presidenti nuk ka të drejtë të ndërhyjë në gjyqësor. Një nga synimet e reformës është që të shmangej kjo ndërhyrje. Ky është një vendim nul dhe absolutisht i pavlefshëm por problemi është ku ta ankimosh? Unë bëj pjesë te ata njerëz që nuk tërhiqen nga parimet por do shikoj rrethanat. Do ta mendoj këtë gjë se unë personalisht e kam humbur besimin te kjo përbërje e KLGJ, unë nuk di a duhet t’ia bëj një kerkesë. E kam humbur besimin”, theksoi më tej Dvorani.
ÇFARË NDODH TANI ME DVORANIN-Ç’THONË JURISTËT
Sipas Kushtetutës, Ardian Dvorani është Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi deri në 31 dhjetor 2020 !
Fati juridik i Ardian Dvoranit si anëtar dhe Kryetar i KED është i përcaktuar qartë nga Kushtetuta, Ligji “ Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në RSH” si dhe Ligji “ Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë në RSH”, që i garantojnë caktimin e tij në një pozicion në nivel të gjyqtarit të Apelit dhe i mundësojnë vazhdimin e funksioneve të gjyqtarit brenda sistemit gjyqësor.
Vetëm nëse Dvorani me dëshirën e tij vendos të dalë jashtë sistemit gjyqësor, atëherë Ai e humbet pozicionin e të qënurit anëtar dhe Kryetar i KED, shqip dhe troç vetëm nëse Dvorani nuk dëshiron të jetë më gjyqtar në asnjë pozicion brenda sistemit gjyqësor.
Kushtetuta dhe Ligji “ Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë në RSH” e lidhin mandatin e anëtarit të KED me ushtrimin e funksionit të gjyqtarit dhe me pozicionin që ai mban në sistem vetëm në momentin e hedhjes së shortit nga PR por vazhdimi i këtij mandati nuk kushtëzohet më pas nga ndryshimi i pozicionit të gjyqtarit brenda sistemit gjyqësor.
burimi (news bomb)