ATSH/ Lef Nosi, firmëtari i pavarësisë, filatelisti, poligloti, arkivisti, etnografi dhe politikani shqiptar, lindi në Elbasan më 9 prill 1877. Arsimin fillor e kreu në vendlindje dhe nisi studimet e larta për farmaci në Athinë, por u kthye pa i përfunduar për t’u angazhuar në çështjet e historisë dhe kulturës kombëtare.

Në 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit, ndërsa në 1909 kontribuoi në hapjen e Shkollës Normale të Elbasanit. Në 1910 themeloi gazetën “Tomorri”, artikujt e së cilës provokuan autoritetet osmane, të cilat e arrestuan dhe e dënuan me vdekje. Pas protestave të patriotëve shqiptarë ky dënim u zëvendësua me internim.

Më 28 nëntor 1912 ishte delegat në Kuvendin e Vlorës dhe firmosi Deklaratën e Pavarësisë. Në qeverinë e Ismail Qemalit u emërua Ministër i Postë-Telegrafëve. Në 1918 mori pjesë në Qeverinë e Durrësit dhe delegacionin shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris.

Pas largimit të Fan Nolit, u tërhoq nga politika dhe iu përkushtua botimit të dokumenteve historike, studimeve gjuhësore dhe mbledhjes së objekteve kulturore. Me pushtimin italian u internua në Itali, por në 1942 u kthye dhe u angazhua me Ballin Kombëtar.

Gjatë pushtimit gjerman (1943-1944) u bë anëtar i Këshillit të Lartë të Regjencës pozicion për të cilin më vonë regjimi komunist e akuzoi për bashkëpunim me pushtuesit dhe e dënoi me pushkatim. Ekzekutimi u krye më 15 shkurt 1946.

Në vitin 2007 iu akordua Urdhri “Gjergj Kastriot Skënderbeu” për kontributin e tij në shtetformimin dhe kulturën shqiptare. /j.p/