Pas kësaj fundjave, qeveria ka vendosur të lehtësojë akoma më shumë masat nga 11 maji deri në 1 qershor ku mes të tjerash do të shtohen 14 zona të gjelbra dhe çelen mjaft biznese të tjera.
Referuar informacioneve të bëra publike nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, nga nesër shtohen si zona të gjelbra bashkitë: Lushnjë, Patos, Roskovec, Korçë, Has, Kukës, Lezhë, Mirditë, Fushë-Arrëz, Malësi e Madhe, Pukë, Vau Dejës, Kavajë dhe Vlorë, me të njëjtat rregulla.
Në këto zona do të lejohet qarkullimi ndërqytetas brenda zonave të gjelbra me automjet privat, duke lejuar udhëtimin e më shumë se dy personave të së njëjtës familje, deri në orën 21:00.
Po kështu, lejohen të ushtrojnë veprimtarinë sipas protokolleve strikte të sigurisë, klinikat dentare, parukeri, berber dhe dyqanet në qendrat tregtare. Po ashtu, duke filluar nga data 11 maj të gjithë të riatdhesuarit do të vetëkarantinohen në banesë.
Masat lehtësuese do të vijojnë, ku më 1 qershor parashikohen të hapen çerdhet dhe kopshtet shtetërore dhe private.
Pavarësisht lehtësimit të masave, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i ka ftuar qytetarët të respektojnë rregullat, të ruajnë distancimin fizik dhe higjienën personale si dhe bizneset të zbatojnë protokollet e sigurisë për të ruajtur shëndetin e qytetarëve.
Atsh