ATSH – I. Vata/ Parku Kombëtar Bredhi i Hotovës –Dangëlli është një nga destinacionet më të preferuara të turistëve vendas dhe të huaj që ofron jo vetëm pamje të bukura, por dhe një diversitet të larmishëm kafshësh të egra.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit. Mirela Kumbaro publikoi pamje nga gjallërimit të lepurit të egër në këtë habitat unik të natyrës shqiptarë.

“Mirëmëngjes me këto pak sekonda të bukura nga jeta e lepujve të egër në Parkun Kombëtar Bredhi i Hotovës –Dangëlli”, shprehet Kumbaro.

Bredhi i Hotovës ndodhet në jug të Shqipërisë, pak kilometra nga qyteti i Përmetit dhe mund të cilësohet si mushkëria natyrore e Shqipërisë Jugore.

Me një shtrirje prej 1200 hektarësh dhe një masiv të mrekullueshëm të përbërë kryesisht nga Bredhi Maqedonas, ky Park Kombëtar është një nga perlat turistike të Shqipërisë, që ofron surpriza të këndshme në çdo stinë të vitit, si në dimër, ku ai është i mbuluar nga dëbora, por dhe në verë ku mund të shijosh freskinë e tij.

Luginat e bukura, biodiversiteti i pasur në habitate malore të mbuluar me pyje të dendura, kanione gjigante dhe një traditë kulinare fantastike e bëjnë këtë park një zgjedhje ideale për t’u ekploruar.

Peizazhi i larmishëm pyjor (një përzierje e bredhit të Maqedonisë, tisit, pishës së zezë, bungës, qarrit, maresë e mëllagjerit) ofrojnë strehë për shumë lloje kafshësh si: ariu i murmë, ujku, kaprolli, lepuri e derri i egër.