ATSH/- Projekti gjerman “Mbështetje për negociatat e pranimit në kapitujt ekonomikë të acquis” (Saneca) në bashkëpunim me ekspertët e linjës kanë punuar në përshtatjen e kuadrit ligjor dhe sistemeve tona për lëvizjen e lirë të mallrave, sipas direktivave europiane në përputhje me shtetet anëtare të Bashkimit Europian.
Sot takimi i ekspertëve, përfundoi seancat përgatitore për plotësimin e tabelave analitike të kuadrit ligjor dhe institucional të Shqipërisë që lidhen me lëvizjen e lirë të mallrave, një ndër parimet themelore të Bashkimit Europian.
Janë rreth 100 akte të legjislacionit shqiptar dhe atij europian që rregullojnë këtë fushë.
Ndër to janë tabelat analitike identifikuese: niveli i përputhshmërisë së kuadrit ligjor shqiptar me atë Europian, kapitulli 1; nevojat për përafrim të ligjeve në fushat përkatëse dhe plotësimin e kuadrit institucional; koha që do nevojitet deri në transpozimin dhe zbatimin e plotë të kërkesave të BE-së.
Të gjithë këto elementë përbëjnë bazën mbi të cilën grupi negociator shqiptar do të diskutojë me palën europiane në takimet dypalëshe me BE-në.
Përfaqësues të 21 institucioneve pjesë e Grupeve Ndërinstitucionale të Punës për kapitullin 1 patën mundësi të konsultohen me ekspertë rajonalë me përvojë në negociatat me BE-në.
Ata morën këshilla praktike lidhur me hapat e radhës të procesit, si dhe elementët më të rëndësishëm që duhen përfshirë për raportin që do t’i dërgohet BE-së.

Seancat përgatitore u zhvilluan në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, që drejton procesin e përgatitjes për negociatat e kapitujve ekonomikë dhe ASPA – Shkolla Shqiptare e Administrates Publike.

Projekti SANCE po mbështet MFE në përmirësimin e parakushteve për zhvillimin e negociatave për kapitujt 1, 3, 20 dhe 28 duke ofruar asistencë teknike për metodologjinë e procesit dhe duke siguruar ekspertizë nga vendet e rajonit që e kanë kaluar tashmë këtë proces. /j.p/