Ligjvënësit kryesorë republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve thonë se në Kongres kanë filluar diskutimet rreth luftës së Rusisë në Ukrainë në një përpjekje për të përmbushur premtimin e fushatës së Presidentit të zgjedhur Donald Trump për t’i dhënë fund konfliktit.

 

 

Ligjvënësit i thanë Shërbimit ukrainas të Zërit të Amerikës se janë optimistë se Trump mund ta arrijë qëllimin e tij.

 

Ligjvënësi republikan Mike Waltz, i cili u emërua nga zoti Trump këtë javë për pozitën e këshilltarit për Sigurinë Kombëtare, i tha Zërit të Amerikës se “presidenti ka qenë i qartë se të dyja palët duhet të ulen në tryezën e bisedimeve dhe se ai është përqendruar tek përfundimi i luftës dhe jo tek vazhdimi i saj“.

 

 

Zoti Waltz tha se edhe pse zoti Trump nuk foli mbi luftën në Ukrainë kur u takua me ligjvënësit të mërkurën, diskutimet mbi këtë çështje po ndodhin “nga ana tjetër”, por pa dhënë detaje mbi këtë.

 

Ligjvënësi republikan Mike Rogers, i cili shërben si kryetar i Komisionit të Forcave të Armatosura në Dhomën e Përfaqësuesve, tha se beson tek aftësia e zotit Trump për të negociuar një armëpushim.

 

“Pres që presidenti të negociojë një armëpushim përpara fundit të vitit“, i tha ai Zërit të Amerikës.

 

Kur u pyet se si Shtetet e Bashkuara do të ushtronin presion ndaj Rusisë që ajo të ulë armët, ligjvënësi tha se “e kishte një ide, por nuk do të jepte detaje mbi të”.tch