TIRANË, 17 qershor/ATSH/ Policia e bashkisë Kavajë vijon operacionin për lirimin e hapësirave publike në plazhin e Golemit. Në një njoftim zyrtar, Policia bën me dije se janë sekuestruar 190 komplete çadra dhe shezlongë në plazhin e Golemit, ndërsa është proceduar penalisht një qytetare.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, në kuadër të plan-operacionit “Plazhi i lirë”, kanë vijuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike që zihen pa lejen përkatëse, nga subjektet në bregdet apo nga vetë pushuesit, duke vënë çadra dhe shezlongë”, thuhet në njoftim.

Sipas Policisë, gjatë kontrolleve, në dy hapësira publike në bregdetin e Golemit, u hoqën dhe u sekuestruan 190 komplete me çadra dhe shezlongë, që ishin vënë në mënyrë të paligjshme, nga një shtetase që pretendonte se kishte leje për shfrytëzim dhe nga një qytetar.

Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen L. S., banuese në Tiranë.

Shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike, për pushuesit, dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet, gjatë sezonit veror.

/e.i/j.p/