Natyra e bukur e Gjinarit, në Elbasan me ajrin e pastër dhe gjelbërimin e pafund, vit pas viti po kthehet në destinacionin e preferuar të turistëve vendas dhe të huaj, falë edhe bujtinave të ngritura në zonë.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja ka bërë publike historinë e Avramit, i cili punoi dhe investoi shumë për të realizuar ” Ëndrrën e tij” e cila tashmë është kthyer në “Ëndrrën” e shumë turistëve që zgjedhin Gjinarin për natyrën, traditën dhe mikpritjen e tij.
Z.Llatja ben me dije se “në vitin 2012, Avrami nisi me pasion biznesin e tij familjar, duke besuar se turizmi mund të ishte një e ardhme për zonën. Sot, falë investimeve në infrastrukturë dhe zhvillimin e Gjinarit si destinacion turistik, “Restorant Ëndrra” është kthyer në një histori suksesi, që punëson dhjetëra banorë dhe po zgjerohet më tej për të përballuar kërkesën e lartë.
Sipas kreut të Bashkisë së Elbasanit, “ky është shembulli i qartë i asaj që mund të arrijmë kur mbështesim sipërmarrësit, investojmë në zhvillim dhe u japim mundësi njerëzve të ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu, në vendin tonë. Ne nuk ndalemi! Bashkë po ndërtojmë një Elbasan që ofron punë, zhvillim dhe mundësi për të gjithë!”
Investimet e fundit nga Bashkia e Elbasanit dhe përkushtimi i komunitetit për të ofruar mikpritje të veçantë kanë bërë që numri i turistëve në Gjinar të rritet ndjeshëm. Kjo zonë, me natyrën e saj të virgjër dhe bujtinat e ngrohta, është duke u shndërruar në një destinacion të preferuar për pushuesit nga brenda dhe jashtë vendit.
Gjinari, vendi i Bukanikut dhe pishave, tashmë është bërë edhe destinacioni i bujtinave tradicionale që ofrojnë mikpritje të ngrohtë dhe komoditet për turistët.
Edlira Xherri Elbasaninews.al