TIRANË, 6 qershor/ATSH/ Zona e pyllëzuar e Kodër Krastës, e cila ndodhet 1.5 km në lindje të qytetit të Elbasanit, do t’i rikthehet totalisht qytetarëve.
Bashkia e Elbasanit sistematikisht ka kryer aksione të shumta për lirimin e hapësirave publike në Kodër Krastë, si edhe në mbjelljen e shumë pishave në këtë zonë të pyllëzuar, e cila quhet edhe “mushkëria” e qytetit.
Ditën e sotme, kryetari i bashkisë, Gledian Llatja me punonjës të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) ka qenë i pranishëm në aksion, ku fadromat po prishin të gjitha objektet pa leje në Kodër Krastë.
“Jemi rikthyer sërish në Krastë në një aksion, për lirimin e të gjitha hapësirave publike, të zëna në mënyrë të paligjshme nga persona të papërgjegjshëm, të cilët e kanë konsideruar në vazhdimësi Krastën si zonë private. Zona e Krastës konsiderohet si “mushkëria e qytetit” përveç mbjelljeve të vazhdueshme që kemi bërë, kemi nisur edhe me lirimin e hapësirave publike”, tha Llatja.
Sipas tij, nuk do të ketë asnjë tolerim për këdo që ka zaptuar me parcela në mënyrë të paligjshme në zonën e Krastës.
Ditën e sotme janë prishur dy godina të ngritura në këtë zonë, të cilat shërbenin si stane, të ndërtuara në mënyrë të paligjshme. Ato jo vetëm prishin imazhin e Krastës, por edhe dëmtojnë ambientin rreth e qark.