Në rrugën “Todi Dhamo” në Elbasan, një zonë e ndërtuar në mënyrë informale pas viteve ’90 dhe që prej kohësh ka qenë problematike për banorët, kanë përfunduar punimet e rikonstruksionit. Ky investim i rëndësishëm synon të përmirësojë ndjeshëm kushtet e jetesës dhe infrastrukturën në një nga lagjet më të frekuentuara të qytetit.
Sot, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, së bashku me deputeten e sapo zgjedhur të Partisë Socialiste, Aulona Bylykbashi, inspektuan punimet që kanë përfshirë ndërhyrje të thella në kanalizimet e ujërave të zeza dhe asfaltimin e plotë të rrugës, duke ndryshuar krejtësisht pamjen e këtij blloku banimi.
Kryebashkiaku Llatja theksoi se ky projekt ishte një kërkesë e hershme e banorëve, pasi përfshin rreth 250 banesa dhe përmirëson ndjeshëm cilësinë e jetës në zonë.
“Pas përfundimit të kësaj rruge, do të vazhdojmë me ndërrimin e të gjitha linjave të ndriçimit në lagjet periferike, me qëllim unifikimin dhe reduktimin e konsumit të energjisë. Gjithashtu, synojmë të rivitalizojmë zonat e qytetit dhe periferisë,” tha Llatja.
Deputetja Bylykbashi vlerësoi përpjekjet e bashkisë për përmirësimin e infrastrukturës në të gjitha lagjet, duke theksuar rëndësinë e këtyre investimeve për cilësinë e jetës dhe zhvillimin ekonomik të zonave rurale.
Këto ndërhyrje janë realizuar si rezultat i kërkesave të banorëve dhe procesit të buxhetimit me pjesëmarrje, duke reflektuar modelin e qeverisjes vendore të afërt me qytetarin.