Nga Edlira XHERRI

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Z.Gledian Llatja  priti në një takim partnerët e projektit PADRION, një nismë europiane që synon të fuqizojë administratat vendore nëpërmjet përparimit teknologjik dhe politikave gjithëpërfshirëse.

 

Ky projekt bashkëpunues, që financohet nga Bashkimi Europian, ka në fokus përmirësimin e shërbimeve publike për qytetarët, përmes përdorimit të teknologjisë digjitale dhe ndërtimit të kapaciteteve institucionale në nivel vendor.

 

Elbasani ka një rol të veçantë në këtë iniciativë, pasi është koordinatori i njërës prej paketave kryesore të projektit, duke treguar angazhimin konkret të bashkisë për modernizimin e administratës publike dhe ofrimin e shërbimeve më efikase dhe të aksesueshme për komunitetin.

 

Gjatë takimit me përfaqësuesit e partnerëve ndërkombëtarë, Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, theksoi rëndësinë e transformimit digjital si një mjet për të sjellë më afër qytetarët me institucionet.

“Bashkia e Elbasanit është plotësisht e përkushtuar që çdo investim dhe iniciativë në fushën e teknologjisë të përkthehet në shërbime më cilësore për qytetarët tanë. Projekti PADRION është një mundësi e shkëlqyer për të rritur kapacitetet tona dhe për të ndarë përvoja me partnerët europianë,” – u shpreh z. Llatja.

 

Takimi shërbeu gjithashtu si platformë për ndarjen e ideve dhe praktikave të mira, me synimin që modeli i zhvillimit digjital të përhapet në të gjitha bashkitë pjesëmarrëse.